Nga shoferi i Vis Martinajt, te tragjedia e Potamit, rritet numri i policëve të arrestuar, rastet më të bujshme

Numri i policëve të arrestuar në Shqipëri gjatë vitit 2022 është rritur.

Nga Agjencia e Mbikëqyrjes mësohet se 313 punonjës policie janë vënë nën hetim gjatë 2022-shit, ndër të cilët 132 janë arrestuar.

Ndër rastet më të bujshme përmendim, arrestimin e efektivit të operacionales Jeton Lami, që dyshohet se ka ndihmuar të shumëkërkuarin Ervis Martinaj.

Nga hetimet që po kryhen për zhdukjen e Martinajt, efektivi Lami është lënë në burg  me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe dekonspirimit të operacioneve policore.

Teksa po hetonte për zhdukjen e të shumëkërkuarit, policia zbuloi se për t’u arratisur, Martinaj ishte ndihmuar edhe nga Lami, i cili u prangos më 23 gusht nga policia e Lezhës.

Një tjetër ngjarje e rëndë që solli arrestimin e një oficeri është vdekja e 7 vjeçares Jonada Avdia në Plazhin e Potamit. Në pranga ra oficeri i policisë së Elbasanit, Arjan Tase, i cili i mori jetën me skaf në breg të detit vogëlushes. Sipas hetimeve të kryera ka rezultuar se Tase është futur në një perimetër ku nuk lejohen mjetet lundruese.

Por si ndodhi ngjarja?

Tragjedia në Himarë ndodhi më parë 2 gusht. 7-vjeçarja po lahej në breg, ku skafi me dy motorë e goditi rëndë duke i marrë jetën në vend. Aktualisht drejtuesi i skafit, Arjan Tase mbante detyrën si shefi i policimit në komunitet në Elbasan.

Në dëshminë e tij, Tase ka thënë se skafi nuk ishte i tij, por ia ka marrë kushëririt të tij për përdorim dhe ka shtuar se skafi kishte defekt, e për pasojë ka marrë gaz menjëherë dhe ka bërë një rrotullim në vend dhe ka goditur vajzën 7-vjeçare për vdekje.

Ndërkohë, Tase nuk kishte patentë skafi. Ai ka qenë Shefi i Komisariatit të Himarës, por u arrestua pas një operacioni antidrogë, megjithatë, u rikthye sërish në radhët e policisë. Për ngjarjen e rëndë u shkarkua i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë së Kufirit dhe Migracionit Vlorë nga detyra./Albeu.com/