Berisha sulmon Ramën: Ka ngulitur frikën te qytetarët, flet sikur energjinë e nxjerr nga shtëpia e tij në Surrel

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbledhur në seli Këshillin Kombëtar ku ka thënë se partia është shumë larg misionit të saj ndërsa nuk ka lënë pa sulmuar kryeministrin Edi Rama për të cilin tha se ka ngulur frikën te qytetarët shqiptarë.

Më tej tha se kreu i qeverisë ka arritur në fazën e talljes me shoqërinë shqiptare dhe flet për fashën e energjisë si të ishte duke e nxjerrë energjinë nga shtëpia e tij.

“Edi Rama ka arritur të ngulisë frikën te punonjësit dhe qytetarët. Kur një regjim arrin të arrestojë 38 mijë qytetarë në një frikë, sjell frikë dhe terror. E gjitha kjo erdhi për shkak se nuk ishim në lartësi, nuk ishim dhëmbë për dhëmbë me ta. Të mos rrimë të flasim për frikën, të vrasim frikën. Dhe ajo vritet me fjalën tonë, me takimet tona në çdo cep të Shqipërisë, me qytetarë dhe grupe interesi.

Kur themi një forcë e rithemeluar, padiskutim që kemi parasysh rivendosjen e vlerave themelore mbi të cilat është ngritur PD. Kjo nuk mjafton. Diçka tjetër më e vështirë dhe përcaktuese është mundi dhe djersa që duhet të derdhim çdo ditë. Arritja e 7 marsit ishte madhore, por jo vendimtare. Arritja bëhet vendimtare vetëm kur çdonjëri prej jush, çdo demokrat t’i shtrojë një pyetje vetes, çfarë bëra sot për t’i afruar fitoren PD-së? Në kauzën tonë, në drejtësinë e kauzës tonë është një oqean punë. Ku jemi ne me këtë? Absolutisht larg. Për njeriun nuk ka gjë më të rëndësishme se realizmi, kushti themelor për të ndërtuar punë dhe pushtet. Kur nuk sheh gjërat me realizëm, vetëm sa noton mbi to. Koha është e veçantë, e rendë. Shikoni, në historinë e këtij vendi Shqipëria ka pasur diktatorë gjakësore, por kurrë një kryeministër që tallet në mënyrën më cinike me qytetarët e këtij vendi. Dje thotë e hoqa fashën, sot thotë është në fuqi. Sikur flet jo për qytetarët shqiptarë, por sikur flet për kuzhinën e tij, oborrin në Surrel, sikur energjinë e nxjerr nga shtëpia e tij. Ky ka rekorde botërore cinizmi, kullën 14 kate pa leje nuk e sheh, por duhet satelitet për ta parë, për të vjedhur me satelite. Problemi është ku jemi ne? Nuk ka nevojë Rama të na dhurojë asgjë tjetër për fitoren tonë me shumë të këqija që I ka bërë këtij populli. Ku është PD sot? Është larg në aktivitete e saj, asaj që duhet të jetë. Kur them PD kam parasysh seksionin dhe grup seksionin. Thelbi i PD-së është si funksionojnë qelizat tona, ashtu do të funksionojë në thelb qeveria. Vjen një moment kur nuk ka më konferenca shtypi e demokratike. Ai moment është votimi, mobilizimi. Unë do të jem realist me ju. Kam marrë gjatë këtyre kohëve informacione dhe është urgjente ndryshimi i situatës. Askush të mos mendoje se mund të fitohet vetëm me makroaktivitete. Janë të domosdoshme, por pa kombinimin me aktivitete ne nivel seksioni, në këto kushte nuk ka rezultat. Rama ka kaluar në fazën e talljes. Ne çdo ditë që kalon jemi të vonuar në përballje me të. Përditë marrim pyetje çfarë po bëni? A thatë në shtator? Këto janë dëshmi se revolta dhe urrejtja në shpirtin e shqiptarëve po vlon”, tha Berisha./albeu.com


Shtuar 1.10.2022 11:49