Dy viktima tek Infektivi, shkon në 15 numri i të vdekurve nga koronavirusi në Shqipëri
Ka shkuar në 15 numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri, COVID-19 në Shqipëri.

Burime nga ministria e Shëndetësisë bëjnë me dije se kanë ndërruar jetë dy pacientë të infektuar tek spitali Infektiv në Tiranë.

Dy viktimat janë një 77-vjeçar nga Kavaja dhe një 69-vjeçar nga Hasi.

"Pacienti 77-vjeçar I. B., nga Kavaja, i konfirmuar me COVID-19 po trajtohej prej 2 javësh në spitalin infektiv, teksa ndërroi jetë në mënyrë të papritur nga një infarkt miokardi. 77-vjeçari vuante nga disa sëmundje: Diabet mellitus, insuficience renale kronike dhe insuficiencë kardiake.

Ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme edhe pacienti R. P 69-vjeç nga Hasi, i konfirmuar me COVID-19, i cili është trajtuar prej 8 ditësh në spitalin Infektiv ndërsa prej 3 ditësh gjendja e tij ishte rënduar dhe ishte në respiracion të drejtuar (i intubuar).

Pacienti R. P ka qenë në gjendje të rëndë shëndesore gjatë gjithë kohës dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti të mbijetojnë" njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Zv/Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha sot se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 20 raste të reja, duke e çuar në 243 numrin e personave të prekur nga COVID-19

Ndërkohë numri i personave të shëruar ka shkuar në 52. Deri tani janë testuar 1671 raste të dyshuara. /albeu.com/
Shtuar më 31/03/2020, ora 18:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori