Departamenti i Shtetit reagon pas rrëmbimit të mësuesve turq në Kosovë
Ka marrë përmasa ndërkombëtare skandali i rrëmbimit të mësuesve turq nga shërbimet sekrete në bashkëpunim me shtetin paralel Thaçi-Pacolli në Kosovë.

Pas organizmeve europianë, Human Rights Watch etj., tashmë ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili u ka kërkuar autoriteteve kosovare që të hetojnë deri në fund se çfarë ndodhi.

Autoritetet e Kosovës kanë nisur tashmë hetimet për të zbuluar veprimtarinë anti-ligjore dhe anti-kushtetuese të Ministrisë së Brendshme, AKI-së si edhe segmenteve të caktuara të Policisë së Kosovës, të drejtuara nga Shpend Maxhuni.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, i tha Zërit të Amerikës se SHBA janë të inkurajuara për faktin që institucionet shtetërore të Kosovës kanë njoftuar vendosmërinë e tyre për të shqyrtuar këtë ngjarje dhe për të përmirësuar garancitë procedurale për mbrojtjen e të drejtave në bazë të procesit ligjor.

Transparenca dhe angazhimi ndaj procesit të rregullt ligjor dhe sundimit të ligjit, - tha zëdhënësi, - janë jetike për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe për aspiratat euro-atlantike.

Për pyetje të tjera, - tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, - mund t’i drejtoheni qeverive të Kosovës dhe Turqisë.
Shtuar më 03/04/2018, ora 15:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori