Lufta në Ukrainë, shefi i Wagner zotohet t’i dorëzojë Bakhmutin ushtrisë ruse deri në qershor

Kreu i grupit mercenar rus Wagner zotohrt se do të transferojë kontrollin e qytetit ukrainas Bakhmut tek ushtria ruse deri më 1 qershor. Themeluesi i Wagner Yevgeny Prigozhin pretendon se pushtoi Bakhmut të shtunën, por Kievi thotë se ka ende në kontroll disa pjesë të qytetit.

Ukraina thotë se trupat e saj ushtarakë janë ende duke përparuar në periferi të Bakhmutit. Por kreu i Wagner thotë trupat e tij do nisin t’ia dorëzojnë qytetin ushtrisë ruse të enjten, shkruan BBC.

“Wagner do të largohet nga Artemovsk nga 25 maji deri më 1 qershor,” tha Prigozhin nëpërmjet një audio në Telegram.

Bakhmut njihej më parë si Artemovsk, për nder të një revolucionari sovjetik, përpara se Ukraina ta riemëronte.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës Hanna Maliar tha të hënën se trupat ukrainase vazhdojnë të kenë kontrollin e disa zonave periferike në jugperëndim të Bakhmutit, ndërsa beteja vazhdon.

“Aftësitë sulmuese të armikut janë reduktuar ndjeshëm. Armikut i janë shkaktuar humbje të mëdha. Kemi fituar kohë për kryer veprime të caktuara, të cilat do të bëhen të ditura më vonë”, tha zonja Maliar.

Kievi thotë se pozicionet aktuale të trupave të tyre dhe përparimet domëthënëse që ato po shënojnë në periferi të qytetit, do t’u japin mundësi t’i rrethojnë trupat ruse në brendësi të Bakhmutit. Luftimet e ashpra e bëjnë të pamundur konfirmimin e situatës në terren. Ministria ruse e mbrojtjes tha se mercenarët e grupit ‘Wagner’ të mbështetur nga trupat ruse, kishin pushtuar qytetin, por Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy tha se Bakhmuti nuk ishte pushtuar plotësisht./AlbEu.com/ 


Shtuar 22.05.2023 16:14