Fitorja e parë për vitin 2023 në kampionat, Partizani mund Bylisin dhe futet sërish në garën për titull

Partizani ka arritur të kthehet te fitorja mesditën e sotme përballë Bylisit, në shtëpinë e këtyre të fundit me rezultatin 0-1. Për “demat e kuq” ka qenë fitorja e parë për vitin 2023 në kampionat.

Pjesa e parë ka qenë me disa raste nga të dyja skuadrat, por goli nuk ka ardhur. Abazaj ishte ai që u ndëshkua i pari në këtë interval kohor me kartonin e verdhë.

Pjesa e dytë startoi me dy zëvendësime nga Bylisi, për të rifreskuar paksa skuadrtën. 45 minutat e dyta ishin intensive dhe me mundësi për të dyja palët, por më konkret u tregua Mensah, i cili në minutën e 77-të arriti të gjente golin për “Demat e Kuq”. Pas një topi brenda zonës nga Hadroj, Mensah zgjat këmbën për ta çuar topin në rrjetë.

Dy minuta më pas, Mensah pati sërish rastin për të dyfishuar rezultatin, por Teqja arrin ta ndalë. Me këtë fitore, Partizani pozicionohet në vendin e tretë me 34 pikë, po aq sa Vllaznia e vendit të dytë. Ndërsa ballshiotët ndodhen në zonën e kuqe, në vendin e 9-të me 23 pikë.


Shtuar 13.02.2023 15:04