Spanja në mëshirë të nxehtësisë, thahet plotësisht liqeni në parkun kombëtar

Liqeni më i madh i përhershëm në parkun kombëtar në Doñana, një ligatinat në Spanjën jugore, është tharë plotësisht për të dytën verë radhazi për shkak të thatësirës së rëndë dhe të zgjatur dhe mbishfrytëzimit të ujërave nëntokësore, njoftoi sot Këshilli Kombëtar i Kërkimeve të Spanjës (CSIC).

Spanja po përjeton valën e tretë të të nxehtit këtë verë, ndërkohë që shterimi i rezervave ujore ka sjellë miratimin e masave kufizuese për konsumin e ujit në disa zona të vendit.

“Që kur filluam mbledhjen e të dhënave për zonën para gjysmë shekulli, kjo nuk ka ndodhur kurrë për dy vite radhazi, gjë që tregon seriozitetin e situatës me të cilën përballet sistemi i liqenit të Donianës dhe bashkë me të edhe biodiversitetin që varet prej tij”, thotë CSIC në një deklaratë.

Ligatinat e Donianës janë shtëpia e një numri speciesh endemike dhe të rrezikuara, si ngjalat e ujërave të ëmbla dhe breshkat.

 

Shumica e liqeneve në Doniana janë kalimtare, që do të thotë se shtretërit e tyre mbushen me ujë shiu kur ujërat nëntokësore derdhen në dimër dhe thahen në muajt e ngrohtë. Disa, megjithatë, mbajnë ujë edhe gjatë verës dhe janë një strehë e vlefshme për zogjtë shtegtarë që shkojnë në jug pas lindjes në Evropën veriore.

Sipas studiuesve, Doniana përjetoi vitet e fundit nivelet më të ulëta të reshjeve në një dekadë dhe temperaturat mesatare më të larta të regjistruara ndonjëherë, 18.53°C.

Por liqenet e Donianës nuk kërcënohen vetëm nga thatësira dhe nxehtësia. Ata janë të rrethuar nga një det me serra dhe një sistem tubash labirint që transporton ujë nga puset e paligjshme për të vaditur kulturat e luleshtrydheve.

Qeveria vendore konservatore e Andaluzisë ka në plan të legalizojë tërheqje shtesë të ujit nga Doniana, duke shkaktuar një protestë nga ambientalistët.


Shtuar 10.08.2023 15:34