Pse nuk shkon në parlament? Rama: Do jem më pak i angazhuar në politikën e llafeve të përditshme

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të enjte një intervistë në emisionin “Opinion”.

Ai iu përgjigj pyetjes së Blendi Fevziut se pse nuk shkon në parlament. Kreu i qeverisë u shpreh se do të jetë më pak i angazhuar “në politikën e llafeve të përditshme”.

Edi Rama:  Unë e kam thënë më parë se të fillonte kjo zallamahi që kur filloi viti që kemi hyrë që do të jem shumë më i përqendruar tek punët e përditshme dhe shumë më pak i angazhuar në politikën e llafeve të përditshme. Ndërkohë dua të them që jam angazhuar me zell të madh dhe me zjarr të madh për vite të tëra edhe në atë parlament, por besoj që pa dashjen time jam bërë edhe unë pjesë e diçkaje që është një hall i madh dhe një shqetësim i madh për gjithë publikun. Ndihem edhe bashkëfajtor në këtë gjë. Bashkëfajtor në gjithë atë skenë e cila është larg së qeni e denjë për ata që na japin ne besimin. Dhe për këtë arsye unë nuk kam më disponim që të hyj dhe të dal në politikën e përditshme si në një fushatë elektorale. Në fushatë elektorale nuk e zgjedh kë ke përballë dhe do ta bësh atë luftën tënde. Ndërkohë që në ditët e tjera të jetës dhe të javës dhe të muajit, angazhimi im do të jetë krejt i ndryshëm për të shlyer sadopak atë njollë bashkëfajësie për gjithë atë degradim dhe degjenerim që nuk e meritojnë shqiptarët./tvklan.al


Shtuar 16.02.2023 21:25