Kërkesa e demokratëve për shkarkimin e Nikollës, kryetarja e Kuvendit: Nuk tërhiqem nga misioni, kurrë nuk kam shfaqur dy fytyra

Partia Demokratike ka kërkuar shkarkimin e kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla. Në raportin e firmosur dhe dorëzuar në Kryesinë e Kuvendit, nga 28 deputetë demokratë jepen disa pika mbi të cilat referohet kërkesa e tyre. Sipas PD-së, Nikolla nuk ka respektuar procedurat parlamentare, duke shkelur kështu Kushtetutën, me mohimin e të drejtës së fjalës për opozitën.

Në seancën e sotme parlamentare, Nikolla iu përgjigj demokratëve dhe tha se ajo gjithmonë ka ndjekur një politikë me të gjithë deputetët pavarësisht përkatësisë politike.

Nikolla: Kësaj kërkese i mungon themeli, ka një qëllim por nuk ka një shkak. Në këtë kërkesë është emri, por jo dëshira jua, janë emocionet por jo bindja juaj. Ju e mbështesni kërkesën në interpretime, jo në fakt. Interpretimet mund të jenë individuale, faktet janë një. Unë nuk do tërhiqem nga misioni për të cctensionuar seancat plenare. Pavarësisht kësaj kërkese unë preferoj një drejtim të Kuvendit me risqe. Unë zbatoj Kushtetutën dh rregulloren e Kuvendit. Me secilin prej jush jashtë seancës plenare kemi pasur një urë komunikim i miqësor. Pse në sytë e shqiptarëve nuk jemi të njëjtët. Unë nuk kam shfaqur dhe nuk do të shfaq kurrë dy fytyra. Me secilin prej jush do të kem një gjuhë, një fytyrë, një politikë. Kam qenë pranë jush si grua, si mike, si kolege.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se armiku nuk është opozita, mazhoranca apo qeveria. Sipas saj kërkesa nuk është një manovër parlamentare, por një ikje nga kauzat e vërteta që i shërbejnë Shqipërisë.

Nikolla: Ju po rrezikoni shtëpinë e të gjithë shqiptarëve dhe është detyra ime ta mboj atë. Përdorni forcën e arsyes. Më dhemb shpirti kur Kuvendi shfaqet si një bezdi për publikun dhe qytetarët. I kam shumë të qarta kompetencat e mia si kryetare e Kuvendit.  Gjatë seancës së 26 janarit i kam ushtruar me përgjegjësi detyrat e kryetares së Kuvendit. Kurrë mos ju shkojë ndërmend që unë do pajtohem me ju deputetë të opozitës që kërkoni të shkatërroni procesin parlamentar. Unë i qëndroj besnike betimit tim. Opozita nuk mund t’i diktojë shumicës vullnetet e saj.

Në përfundim, Nikolla tha se në diskutim nuk është mandati i saj, por nëse Kuvendi do zgjidhë hallet e shqiptarëve apo do jetë një hall i shtuar për ta./Albeu.com./


Shtuar 16.02.2023 15:48