A mund të kapërcejnë dallimet e tyre Uashingtoni dhe Pekini?

Nga Hugh De Santis “National Interest

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Vizita e fundit e presidentit brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, shpesh i njohur si Lula, në Pekin duhet të jetë për Uashingtonin një tjetër test i kontrollit të realitetit. Pas vizitave nga udhëheqësit e Francës, Spanjës, Singaporit dhe Malajzisë, suksesi në ndërmjetësimin e një afrimi midis Iranit dhe Arabisë Saudite, tregon se Kina është tani një lojtare globale në skenën botërore.

Prania e saj është e përhershme dhe në rritje. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk kanë llogaritur plotësisht përmasat e rritjes së Kinës, dhe as sistemin multipolar të marrëdhënieve ndërkombëtare që paralajmëron ajo. Marrëdhëniet e SHBA-Kinë, kanë qenë gjithmonë të përcaktuara në termat e kundërvënies.

Kina “e mirë”, ishte ajo pragmatike; ajo që përqafoi kapitalizmin pas reformave të Deng Xiaoping në vitin 1978, dhe që nxiti iluzione se pluralizmi politik, pse jo edhe demokracia, ishte afër. Ndërsa Kina “e keqe” është Kina komuniste gjithnjë e më autoritare e Xi Jinping, e cila u nda me reformat e Deng që në vitin 2012.

Kjo Kinë e ka centralizuar pushtetin, e ka zhbërë hapjen, e ka modernizuar masivisht ushtrinë në çdo zonë lufte, dhe e ka projektuar fuqinë e saj në Azinë Lindore dhe Juglindore. Por duhet theksuar se Kina dhe Shtetet e Bashkuara, janë të mbërthyera në një marrëdhënie ndërvarësie me njëra-tjetrën.

Lidhjet tregtare dhe investimet midis dy vendeve, janë jetike për zhvillimin e tyre dhe të ekonomisë botërore. Zgjerimi i politikave proteksioniste të Donald Trump nga administrata Biden, e ka kufizuar tregtinë dhe e ka bërë të pasigurt Kinën.

Refuzimi nga Kinas i bashkëpunimit ndërkombëtar në favor të mbështetjes kombëtare tek vetja në inovacionin teknologjik, nga Inteligjnca Artificiale deri tek llogaritja kuantike, ka alarmuar Uashingtonin.

Kina beson se Shtetet e Bashkuara synojnë të frenojnë ngritjen e saj, një koncept ky jo panjohur, duke pasur parasysh se orientimi i Barack Obamas drejt Azisë në vitin 2012, synonte pjesërisht të rivendoste rolin kryesor ushtarak të Amerikës në rajonin e Azi-Paqësorit.

Nga ana e tyre Shtetet e Bashkuara, druhen se Kina do ta zëvendësojë atë si hegjemonia e botës. Megjithëse rritja e saj e jashtëzakonshme ekonomike është zvogëluar nga efektet e pandemisë së koronavirusit, shpërthimi i flluskës së pasurive të paluajtshme, kreditë me probleme dhe pakësimi i krahut të punës, Kina ka ende gjasa të bëhet fuqia dominuese ekonomike në botë nga mesi i këtij shekulli.

Kjo trajektore dhe deklaratat e përsëritura verbale të Xi, se Shtetet e Bashkuara janë në rënie fatale, vetëm sa i shtojnë ankthet e amerikanëve. Nën presionin e opinioni publik të prodhuar nga retorika e tyre, Uashingtoni dhe Pekini po e demonizojnë njëri-tjetrin, dhe bisedat për luftë janë gjithnjë aty.

Në këto kushte, një hap thelbësor për t’u tërhequr nga pragu i konfliktit është rivendosja e një dialogu. Pa një dialog të tillë, nuk mund të ketë asnjë shpresë për të rifituar një masë besimi reciprok, siç shkroi me të drejtë Tom Friedman në Neë York Times më 14 prill.

Të dyja palët, duhet të zvogëlojnë lidhjet e tyre me qasjet që e pengojnë kompromisin. Xi mund të mendojë se Kina e ka ringjallur statusin e saj qiellor si Mbretëria e Mesme, si qendra e qytetërimit rreth së cilës rrotullohet bota. Por në një botë të fuqive në zhvillim, ky është një anakronizëm.

E njëjta gjë mund të thuhet për besimin e rrënjosur kulturalisht tek amerikanët, se Shtetet e Bashkuara kanë qenë historikisht të destinuara të jenë ata që vendosin rendin në një botë të padrejtë. Objektivi i politikës së jashtme, nuk është të transformojë botën sipas imazhit që ka Amerika për vetveten, por të mbrojë dhe forcojë interesat e vendit në një botë konkurruese dhe shpeshherë konfliktuale.

Për ta çuar përpara këtë objektiv, për të eliminuar barrierat në komunikim, dhe për të rindërtuar besimin midis Uashingtonit dhe Pekinit, duhet t’i vihet një theks më i madh tek diplomacia. Xi duhet të braktisë diplomacinë agresive të “ujqërve luftëtarë” të nxitur nga armiqësia ndaj Perëndimit, dhe të rifillojë qasjen bashkëpunuese dhe pragmatike të Hu

Jintao dhe paraardhësve të tij.

Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin fund fiksimit së tyre të vazhdueshëm ndaj unipolaritetit dhe ndarjes së thjeshtë të botës në demokraci dhe autokraci. Duhet të ketë një shtet të së drejtës, por në botën multipolare që po shfaqet, Shtetet e Bashkuara, nuk do të jenë më të vetmet rregullatorë.

Mbrojtja e interesave të Amerikës, kërkon mbajtjen e një force ushtarake të fuqishme, e cila të jetë e mirë-trajnuar dhe e pajisur, dhe që ndodhet në një gjendje të lartë gatishmërie. Ajo duhet të ketë kujdes dhe vendosë sanksione ndaj gjysmëpërçuesve me përdorim të dyfishtë, që Kina do të përdorë për të modernizuar aftësitë e saj ushtarake.

Komunikimi publik i arritjeve shoqërore dhe shkencore të Amerikës, dhe i suksesit të saj në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e saj, siç ka shkruar me të drejtë Robert Gates, do të ndihmojë gjithashtu në kundërshtimin e dezinformatave kineze.

Amerika duhet ta paraqesë veten si një model që të tjerët duhet ta imitojnë, dhe jo si një misionar që synon ty imponojë të tjerëve bindjet e veta. Tek e fundit, Shtetet e Bashkuara duhet ta pranojnë se ngritja e Kinës, është pjesë e rishpërndarjes më të gjerë të fuqisë globale të stimuluar nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Të çliruar nga kufizimet e luftës SHBA-Bashkimi Sovjetik, vendet në zhvillim filluan të pohojnë interesat e tyre kombëtare. India, Brazili, Turqia, Indonezia dhe shtete të tjera synojnë të zëvendësojnë një rend botëror të dominuar nga Perëndimi me politika që përkojnë me objektivat e tyre.

Ata janë në favor të një bote të bazuar në rregulla, siç e tha vitin e kaluar Ministri i Jashtëm indian S.Jaishankar, por për sa kohë që kjo nuk cenon interesat e tyre. Vendet e Azisë Juglindore, refuzojnë të marrin anë në konfliktin SHBA-Kinë.

Ata mbeten skeptikë se lufta në Ukrainë, është përplasja e shëmtuar midis ideologjive të mbështetura nga Perëndimi. Interesat konfliktuale, bënë që 50 vende afrikane të abstenojnë nga votimi në OKB-së në shkurt 2023 i një rezolute, që i bënte bërë thirrje Rusisë të largonte forcat e saj nga Ukraina.

Interesat konkurruese, ndërhyjnë gjithashtu në solidaritetin e aleatëve të Amerikës, të cilët dëshirojnë të shmangin shndërrimin në “vasalë”, siç tha kryeministri francez Emanuel Macron, në skenarin e një përballjeje SHBA-Kinë.

Në tregtinë ndërkombëtare po ndodh procesi i de-dollarizimit, pjesërisht për të shmangur sanksionet financiare të SHBA-së në lidhje me çështjet e sigurisë kombëtare. Lula i Brazilit është në favor të përdorimit të monedhave alternative për të kompensuar tregtinë ndërkufitare.

Ndërkohë, Bangladeshi ka vendosur së fundmi të paguajë për një central bërthamor rus duke përdorur renminbin (juanin) kinez. Ekonomistët dhe investitorët si Nouriel Roubini dhe Ruchir Sharma, thonë se ne po shkojmë drejt një bote blloqesh monetare.

Rritja e tensioneve midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, kërcënon të ri-ndajë një botë, kohezioni i së cilës do të jetë vendimtar për adresimin e një morie problemesh, ndër të cilat ndryshimi i klimës, varfëria, parandalimi i sëmundjeve dhe konflikti ushtarak, duket të jenë ato më madhoret.

Në sistemin politik ndërkombëtar në zhvillim që po del nga rrënojat e ish-përballjes amerikano-sovjetike, shpërndarja e pushtetit po bëhet më e dukshme. Për të ruajtur një rend botëror të qëndrueshëm, do të jetë gjithnjë e më e rëndësishme si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për Kinën të gjejnë një rrugë të mesme me fuqitë e tjera rajonale, mbi të

gjitha për të thënë se si duhet të qeveriset bota. Për të shmangur një konflikt katastrofik që do të ballkanizonte botën ose shumë më keq, do ta zhyste atë në një epokë të re të errët të luftës së përhershme, Uashingtoni dhe Pekini duhet të gjejnë një “modus vikendi”, që do t’i lejojë ata të pajtojnë në mënyrë paqësore interesat e tyre konkurruese në një botë në ndryshim. /albeu.com

Shënim:Hugh De Santis, ish-zyrtar në Departamentin e Shtetit, ku ka shërbyer në Stafin e Planifikimit të Politikave.


Shtuar 16.05.2023 09:20