4 muaj te Trauma, e reja keniane kalon komën, ndodhet në gjendje vegjetative! Flet mjeku dhe ish- prokurori

Prej katër muajsh, 22 vjeçarja keniane Joyce Achieng Aoko dergjet në spitalin e Traumës ku u shtrua më datë 14 gusht 2022 pasi u gjet pa ndjenja, me shenja të dukshme dhune, poshtë ballkonit të dhomës ku jetonte në rezidencën Flowers në Tiranë.

Referuar të dhënave të siguruara nga akt-ekspertimi mjeko-ligjor, rezulton se e reja është dhunuar. 22 vjeçarja kishte pësuar lëndime të shumta, me brinjë e kocka të thyera, lëndime në dorë e stomak dhe dëmtime në tru.

Nga urgjenca e QSUT “Nënë Tereza”, u transferua e intubuar në spitalin Traumës në gjendje të rëndë shëndetësore 30 orë pasi ishte zhdukur. Për disa javë ajo qëndroi në gjendje kome në një nga dhomat e spitalit.

Gazeta Express mëson se e reja nga Kenia e ka kaluar gjendjen e komës. Ajo mbijetoi, por ka pësuar një dëmtim në tru, duke e lënë në gjendje vegjetative.

Gjendja vegjetative shpesh përshkruhet si “zgjimi pa vetëdije”. Pacientja në këtë gjendje i hap sytë dhe duket sikur është zgjuar. Pra shpesh ka cikle gjumi dhe zgjimi, megjithëse nuk reagon ndaj çdo forme nxitjeje ose stimulimi të jashtëm.

Pacientët në këto raste mund të rikuperojnë funksionet bazike të trupit, si për shembull të jenë në gjendje të marrin frymë pa ndihmë dhe të kontrollojnë tensionin e gjakut. Megjithatë, njerëzit në gjendjen vegjetative i kanë të humbura funksionet substanciale të trurit dhe nuk janë të vetëdijshëm për ambientin e tyre.

“Koma mund të jetë reversible kur mund të kthehet dhe ireversible kur nuk kthehet, në këtë rast është vegetative ku truri nuk funksionon dhe vetëm zemra funksionon, por kanë humbur funksionet e njohjes. Pacienti mund të ushqehet, të jetojë por nuk njeh, nuk komunikon, kjo është koma vegetative. Për hollësi në lidhje me rastin tuaj, duhet komunikuar me mjekun përgjegjës që ndjek pacientin”, tha mjeku anestezist reanimator, Agron Xheta, për gazetaren Beklie Koltraka.

Sa shpresa për shërim të plotë ka Joyce? Jeta e saj a do të jetë më e njëjta? Mjekët që kanë ndjekur rastin e pacientes nuk kanë pranuar të prononcohen për Gazetën Express pasi çështja po hetohet nga Prokuroria. Por ajo që mund të themi është se jeta e saj nuk do të jetë siç ka qenë deri mëngjesin e 14 gushtit.

Neuroshkencëtari Dr Adrian Owen, sipas sciencefocus, thotë se pacientët në gjendje vegjetative janë duke qëndruar në hapësirën e papërcaktuar mes jetës dhe vdekjes. Për dekada, supozohej se pacientë të tillë nuk kanë vetëdije për botën përreth tyre, duke përfshirë kush janë, ku janë dhe gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen. Por edhe Dr Adrian Owen, thotë se ka vërtetuar të kundërtën. Një person në një gjendje vegjetative të vazhdueshme është në gjendje të marrë frymë pa ndihmë. Kur është zgjuar mund të reagojë ndaj dhimbjes fizike dhe mund të lëvizë.

Megjithatë javët për Joyce po kalojnë në të njëjtin shtrat ndonëse ajo ka nevojë për ndihmë më të specializuar mjekësore. Edhe pse kanë kaluar 4 muaj nga krimi i rëndë dhe Prokuroria e Tiranës është duke hetuar, ende nuk ka asnjë person të ndaluar dhe të dyshuar për ngjarjen.

Pyetjeve të Gazetës Express mbi ecurinë e hetimeve, prokuroria e Tiranës iu përgjigj kështu: “Në përgjigje të kërkesës tuaj të datës 11.12.2022, ku kërkoni infomacion në lidhje me çështjen e shtetases J.A.A (shtetase keniane), ju bëjmë me dije se: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë ka regjistruar procedimi penal nr.6718 i vitit 2022, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88 i Kodit Penal. Duke qenë se dosja është ende në hetim, informacion më i detajuar nuk mund t’u jepet për shkak të respektimit të sekretit hetimor”.

Krimi i rëndë ndaj punonjëses së kazinosë ka ende shumë rrethana të pasqaruara. Kallëzimin për zhdukjen e papritur të 22 vjeçares e bëri Emili, shoqja e saj e dhomës në rezidencë, pothuaj 17 orë pasi Joyce nuk gjendej, e shoqëruar nga ish-i dashuri i Joyce. Që nga ajo ditë e deri më sot ende nuk ka asnjë të dyshuar ndonëse pista e dhunimit vërtetohet edhe nga përgjigjia e Prokurorisë, shkruan Gazeta Express. Derisa ende nuk ka një përgjigje se kush e masakroi në atë rrugë pa kthim 22 vjeçaren nga Kenia, a ka mjaftueshëm indicie për të menduar se asaj mund t’i rrezikohet jeta në spital? A duhen që ndaj saj të sigurohet mbrojtje ekstra?

Ish-prokurori Eugen Beçi referuar ligjit të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë, u shpreh për Gazetën Express se në rastin e të resë keniane si dhe në rastin kur ka rrezik të shtuar dhe për shtetas të ndryshëm arrihet të krijohet një komision në policinë e shtetit që vlerëson rrezikun.

Pyetje: Në rastet kur një pacient që ndodhet në spital është sulmuar fizikisht dhe autorët ende nuk janë indentifikuar, si dhe kur prokuroria ka regjistruar procedim penal dhe po e heton rastin, a duhet të marrë automatikisht mbrojtje ekstra ky pacient në spitalin ku ndodhet? Për ta konkretizuar, unë po sjell rastin e shtetases Joyce Achieng Aoko e cila prej 14 gushtit ndodhet e shtruar në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë pasi u gjet pa ndjenja pranë rezidencës ku jetonte.

BeçiTë gjitha pyetjet kanë lidhje me ligjin e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Në rastin konkret dhe rastin kur ka rrezik të shtuar dhe për shtetas të ndryshëm arrihet të krijohet një komision në Policinë e Shtetit që vlerëson rrezikun. Pra përgjithësisht rezulton se mbrojtja e dëshmitarëve ose bashkëpunëtorëve të drejtësisë bëhet në bazë të një programi të veçantë që ka në komisionin e vetë në hartimin e mbrojtjes së posaçme për personat që mund t’u rrezikohet jeta, siç mund të jenë dëshmitarë, kallëzues apo dhe një bashkëpunëtor i drejtësisë. Ka një komision të posaçëm që ngrihet pranë Ministrisë së Brendshme me pjesëmarrës nga prokuroria dhe policia, vlerëson rastin dhe mund të shtojë mbrojtje për sa i përket personave që mund të jenë të shtruar në spital. Duhet të vlerësohet rast pas rasti se çdo të ndodhi dhe a ka rrezik permanent për shtetasen që ju bëni fjalë.

Pyetje: A mjafton siguria që ofron spitali për çdo pacient të zakonshëm? A ka indicie të mjaftueshme sipas jush se shtetases në fjalë mund t’i rrezikohet jeta në spital, dhe a duhet në këtë rast që të ketë mbrojtje ekstra për të?

BeçiSiç thashë indiciet vlerësohen rast pas rasti, por baza ligjore është ligji mbi mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë ku përcakton procedurat dhe nivelin e mbrojtjes. Për rastin konkret nuk bëhet fjalë vetëm për një paciente por bëhet fjalë për një person që mund të jetë dëshmitare e një krimi siç është dhe e dëmtuar vetë nga krimi që ka ndodhur./Gazeta Express