Policia e Vjenës në gatishmëri për një atentat të mundshëm

Autoritetet në Vjenë thanë se kishin marrë informacion për një sulm të mundshëm kundër kishave. Prezenca e policisë është përforcuar në rrugë dhe në objektet nën kërcënim. Por nuk ka rrezik imediat, tha policia.

Në Vjenë policia është vënë në gatishmëri të lartë për shkak të një kërcënimi të mundshëm terrorist. Ka indikacione për një komplot islamik për të sulmuar institucionet fetare, tha policia në Twitter. Prania e patrullave dhe njësive kundër terrorizmit është përforcuar në rrugë dhe objektet potencialisht të kërcënuara janë objekt i mbikqyrjes së shtuar, shkruan policia.

Asnjë rrezik imediat sipas policisë

“Policët janë të pajisur me helmeta dhe jelek antiplumb dhe pushkë sulmi. Ata do të kryejnë veprimtari vëzhgimi dhe do të kryejnë gjithashtu kontrolle në trafikun rrugor,” ka thënë një zëdhënës i policisë për radion austriake ORF.

Zëdhënësi theksoi, megjithatë, se nuk kishte arsye për panik dhe se nuk kishte asnjë rrezik të afërt. Vendimi për të publikuar vlerësimin e autoriteteve u mor thjesht për të shpjeguar praninë e shtuar të policisë. Nëse një vend konkret kërcënohet nga një rrezik konkret, policia vjeneze do të informojë menjëherë.

Vëmendja e publikut duhet të rritet

Nuk është ende e qartë se sa do të zgjasë rritja e mbrojtjes së objekteve, siç raportoi korrespondenti i ARD Oliver Soos. Informacioni për kërcënimin e mundshëm të një sulmi erdhi nga shërbimet sekrete austriake dhe shërbimi i brendshëm informativ. Me këtë informacion të bërë publik, policia dëshiron të tërheqë vëmendjen e popullatës, gjë që mund të zvogëlojë gjasat për një sulm.

Policia bëri thirrje që të mos filmohen zyrtarët, të mos fotografohen ata dhe të mos postohen pamje të tilla në rrjetet sociale.

Jo mbyllje kishash

Sipas Soos, Kisha Katolike në Vjenë tha se ishte “e kënaqur me masat e hershme paraprake”. Michael Prüller, zëdhënës i Kryedioqezës së Vjenës, tha se mbyllja e kishave nuk ishte e nevojshme. Kisha Katolike është në kontakt të ngushtë me policinë, shtoi ai. Datat dhe rrjedha e masave nuk ndryshojnë për momentin.

Në nëntor 2020, një sulm në qendër të Vjenës la katër të vdekur dhe 23 të plagosur. Autori ishte simpatizant i milicisë terroriste “Shteti Islamik”.