Meloni: Italia shpreson të ndihmojë në arritjen e marrëveshjes së paqes duke mbështetur Ukrainën

E vetmja mënyrë për të lehtësuar një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës është të ndihmosh Kievin të mbrohet ushtarakisht, tha të mërkurën parlamentit kryeministrja italiane Giorgia Meloni, raporton Sky News

“Paqja mund të arrihet duke mbështetur Ukrainën… është e vetmja mundësi që kemi për të dyja palët për të negociuar,” i tha Meloni Senatit përpara një votëbesimi për qeverinë e saj të sapoemëruar të krahut të djathtë.

Meloni ka premtuar vazhdimisht mbështetje për Kievin, ndërsa aleatët e saj të koalicionit Silvio Berlusconi dhe Matteo Salvini kanë qenë shumë më ambivalent për këtë çështje për shkak të lidhjeve të tyre historike me presidentin rus Vladimir Putin.

Meloni tha se ndërsa armët që Italia i furnizon Ukrainës nuk janë vendimtare për rezultatin e luftës, ato janë jetike për Italinë që të ruajë besueshmërinë e saj ndërkombëtare.

Ish-kryeministri italian Berlusconi, i cili ndezi një stuhi politike javën e kaluar duke përsëritur simpatinë e tij për zotin Putin dhe duke akuzuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për shkaktimin e luftës, ra dakord me Melonin gjatë debatit të besimit në Senat.

Ai tha se kishte punuar gjithmonë për të bashkuar Moskën me Perëndimin, por pushtimi i Ukrainës nga Rusia nënkuptonte që kjo tani ishte e pamundur./albeu.com


Shtuar 27.10.2022 08:04