E dogjen uren e vjeter, qe shteti te ndertonte te rene
Albeu.com
Zjarrvënia e urës së drunjtë, që lidh fshatin me rrugën nacionale Tiranë-Plepa, ka "bllokuar" kryetarin e PS-së dhe njëkohësisht kryebashkiak i Tiranës, Edi Rama.Gazeta Shqiptare njoftoi sot se ngjarja ka ndodhur në mesnatë, duke u gdhirë dita e djeshme, ndërsa kreu i PS-së kthehej për në banesën e tij në Pezë. Ramës i është dashur të qëndrojnë për disa minuta në pritje që policia dhe shërbimet anti-zjarr të shuanin flakët.

Sipas policisë, lëvizja e Ramës ka koinciduar me momentin e zjarrit në urë, ndërsa pistat e hetimit nuk e lidhin ngjarjen me lëvizjet e kryetarit të PS-së. Një furgon i komisariatit nr. 6 të Policisë së Tiranës ka kaluar i pari mbi urë pasi shuarjes së flakëve, për siguri, dhe më pas ka kaluar automjeti me të cilin lëvizte Rama.

Në vendngjarje kishte shkuar edhe drejtori i Policisë së Tiranës, i cili ka ndjekur vetë nga afër veprimet për shuarjen e flakëve dhe hetimet e kryera aty. Dje ura ka qenë e kalueshme gjatë gjithë ditës dhe fatmirësisht flakët nuk kishin shkaktuar ndonjë dëmtim të rëndë të saj. Policia shoqëroi disa banorë të zonës pranë urës, të cilët dyshohet të jenë edhe zjarrvënësit.

Burime pranë grupit të hetimit thanë se vetë banorët kanë një "problem" me urën, e cila duke pasur strukturë të hekurt e të veshur me dërrasa, bën një zhurmë mjaft shqetësuese gjatë kalimit nga automjetet. Policia dyshon se zjarrvënia kishte për qëllim nxjerrjen jashtë përdorimit të urës së drunjtë, duke detyruar më pas autoritetet të ndërtonin një urë të re, më të sigurt dhe më pak shqetësuese për banorët.
Shtuar më 31/07/2010, ora 19:52
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori