E dini kush jane ministrat dhe deputetët më të pasur të Kuvendit Shqiptare?
Albeu.com
Deputeti më i pasur i parlamentit nuk është as nga radhët e PD-së dhe as nga ato të PS-së. Dy forcat kryesore politike në vend mposhten në këtë betejë nga deputeti demokristian, Tom Doshi.Ai është deputeti më i pasur i parlamentit, pasuria e të cilit shkon në afërsisht 1.1 miliardë lekë të reja. Sadri Abazi është i dyti në listën e më të pasurve brenda Parlamentit, pasuria e të cilit shkon në 647 milionë lekë të reja. Ndriçim Babasi është më i pasuri mes demokratëve, me 128 milionë lekë, i pasuar nga deputeti socialdemokrat, Pilo Këri me 117 milionë lekë. Më pas lista vijon me demokratin Sami Gjergji, me 97 milionë lekë, ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha me 83 milionë lekë, ligjvënësin e pavarur, Nikollë Lesi, me 81 milionë lekë, deputetin më të ri të LSI-së, Nikollaq Neranxin, me 73 milionë lekë, i ndjekur nga ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, me rreth 57 milionë lekë. Lista e deputetëve më të pasur vazhdon mandej me socialdemokratin Musabelliu, me 54 milionë lekë, atë të PBDNJ-së, Leonard Solis, me 53 milionë lekë, nga deputeti i pavarur, Paulin Sterkaj. Ndërkohë që tre të fundit në listën e 15 ligjvënësve më të pasur e mbyllin Skënder Gjinushi, me 48 milionë lekë, Fatos Nano, me 47 milionë lekë dhe demokrati Bujar Leskaj, me 42 milionë lekë.

Sa kanë shtuar

Deputeti që shënon rritjen më të madhe të pasurisë vetëm në një vit, është deputeti i PS-së, Sadri Abazi, pasuria e të cilit është shtuar me 90.9 milionë lekë të reja. Deputeti i PDK-së, Tom Doshi ka një shtesë pasurie në një vit, prej 87 milionë lekë të reja, i cili ndiqet më pas nga kreu i grupit parlamentar të PDK-së, Nikollë Lesi, të cilit i vihet re një shtesë pasurie prej 54 milionë lekësh të reja. Por ndërkaq, Doshi shquhet dhe për sasinë më të madhe të borxheve të marra, duke u renditur dhe kësaj here në toplistën kryesore. Detyrime financiare për deputetin e PDK-së janë 2.1 milionë euro, 1 milion USD, 640 dollarë australianë. Ndërkaq, lista e deputetëve që kanë shtesën me të madhe të pasurisë në një vit vijon me Fatos Nanon, me 22 milionë lekë të reja, Solis, me 17 milionë lekë të reja, Nëranxi me 16 milionë lekë të reja. Genc Ruli, ministri aktual i Ekonomisë, por edhe një nga financierët më në zë në Shqipëri, numëron plot 4 llogari bankare. Ruli është treguar i kujdesshëm në ndarjen e portofolit të të ardhurave të tij, sigurisht mbështetur dhe në logjikën e thjeshtë të Financës, të cilën e lekton në Universitetin e Tiranës. Ruli ka zgjedhur Bankën Amerikane të Shqipërisë dhe “Raiffeisen Bank” për të depozituar kursimet e tij si në depozitë me afat në dollarë, euro, por edhe në një depozitë kursimesh në emër të vajzës. Po ashtu, Genc Ruli nuk kishte se si të mos investonte në bono thesari ku interesi është disa pikë përqindje më lart se për depozitat me afat. Ai ka blerë bono thesari si në tregun primar (direkt në Bankën e Shqipërisë), ashtu edhe në atë sekondar, në bankë. /G. Shqiptare/
Shtuar më 23/11/2007, ora 23:16
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori