E dhimbshme: E qëllonte me hekur në kokë, më zuri gjaku kur e pashë gruan të shtrirë
Historia e trishtë e një familje nga Durrësi u trajtua sot në studion e emisionit “Me zemër të Hapur” në News 24.

Historia e tyre nis nga një mashtrim që i ka çuar fëmijët e familjes Shkodra të braktisin shkollën e të lypin, ndërsa kryefamiljarin prapa hekurave. Në vitin 2012-të një ndërtues privat i mashtron duke iu marrë banesën private me qëllim që të ndërtonte një pallat, dhe i strehon në një banesë me qira.

“Unë nuk shikoj mirë, firmosa disa letra me atë pronarin dhe ai tha do merrni një hyrje dy dhoma e kuzhinë. Deri sa të ndërtohet pallati, do na linin në shtëpi me qira”,- tregoi kryefamiljari Andon Shkodra.

Të strehuar në një pallat me qira, familja Shkodra e ka gjetur veten ngushtë me faturat e energjisë elektrike, që iu vinin super të larta, deri në 400 mijë lekë siç tregoi Andoni.

“Fillimisht dyshova, se muajin e parë na erdhi fatura 20 mijë lekë, pastaj na vinte deri në 4000 mijë lekë. Shkova u ankova tek OSHEE, ato thanë që sahati është lexuar drejt.

Pastaj mora kryeinxhinierin i cili konstatoi tre lidhje të tjera në sahatin tonë, të dy shtëpive dhe të një dyqani.

Pas këtij momenti, kryefamiljari nuk e ka paguar më energjinë elektrike derisa Natën e Vitit të Ri, administratori ua ka ndërprerë energjinë. Por për t’ju mundësuar fëmijëve një festë si të gjithë, kryefamiljari ka bërë një veprim të jashtëligjshëm, duke e rilidhur vetë energjinë.

Në momentin që i ka parë administratori i pallatit ku jetonin me qira ka shkuar t’ju kërkojë sqarime. Derën e ka hapur bashkëshortja e Andonin, e cila edhe është përballur me sulmin e tij.

“Kur dola tek dera e pashë gruan të shtrirë në tokë, dhe ky e godiste me hekur në kokë. Më zuri gjaku e nuk durova dot më”,- tha i prekur Andoni.

“Bëra sherr dhe e qëllova me grushte. Pastaj u mora me gruan se ishte shumë rëndë, e çova në spital”,- tregoi ai më tej.

Por pa kaluar shumë kohë, ai mëson se administratori e kishte paditur dhe kërkonte një dëmshpërblim prej 10 milionë lekësh prej tyre. Gjykata vendosi në favor të administratorit dhe Andoni, ndonëse invalid u detyrua të paguajë gjobën prej 10 milionë lekësh të vjetra.

Kjo situatë e rrënoi edhe më tej gjendjen ekonomike të familjes. Fëmijët e tij, vajza 14-vjeçare dhe djali pak më i madh u detyruan të braktisin shkollën e të lypin, shkruan BW.

5 vjet më vonë nga kjo dramë që iu ka ndodhur anëtarët e familjes Shkodra kanë mbetur rrugëve, pa një strehë dhe në kërkim të drejtësisë, pasi peshorja nuk ka anuar në anën e së vërtetës. /albeu.com/



Shtuar më 02/06/2017, ora 13:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori