Dy gjoba të majme dhe mbyllje totale? Reagon AMA: Ora News nuk do të mbyllet!

Pas dy gjobave të majme, ISHSH kërkoi mbylljen e valëve për televizionin RTV ORA.

Pas këtij lajmi i cili u shpërnda me shpejtësi në media, reaguan ashpër gazetarët të cilët e quajtën një sulm ndaj medias të lirë.

Por AMA me anë të një njoftimi zyrtar bën me dije se nuk ka asnjë vendim për mbylljen e ndonjë televizioni.

Njoftim për mediat:

Nisur nga informacione dhe formulime të ndryshme mediatike, mbi vendimarrje të Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA dhe Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, ISHSH, për mbyllje të subjektit ORA News, bëjmë me dije se, nuk ka asnjë vendim apo qëllim për mbylljen e ndonjë televizioni.

Për rastin konkret, ka pasur një paralajmërim me tërheqje vëmendjeje ditën e mërkurë, 13.05.2020, nga AMA, për subjektin ORA News për shkelje të udhëzimeve të Aktit Normativ, në kuadër të vendosjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga Covid-19.

Më pas, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, dega Tiranë, më datë 14.02.2020, ka evidentuar shkelje të përsëritur nga ky subjekt audioviziv, për prezencë në studio të më shumë se dy personave, duke akorduar gjoba, bazuar në ligjin 15|2016 “Për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve infektive”, Aktin Normativ nr. 3 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohës zgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19”.

Për këtë vendim ISHSH ka njoftuar me shkresë zyrtare AMA-n më datë 15.05.2020.

Autoriteti i Mediave Audiovizive Tiranë, 15.05.2020 /albeu.com/


Shtuar 15.05.2020 20:28