Saimir Tahiri kërkon nga Gjykata e Lartë pushimin e çështjes

Gjykata e Lartë ka regjistruar rekursin e bërë nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ish-drejtori i Policisë Vlorë, Jaeld Çela.

Ish-ministri Tahiri kundërshton vendimin e Apelit të Posaçëm që u dha më 26 qershor, që e ktheu dosjen në ngarkim të tij për rigjykim në Shkallën e Parë.

Vendimit në fjalë i është bërë rekurs edhe nga ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Ata i kërkojnë Gjykatës së Lartë të prishë vendimin e Apelit dhe të pushojë çështjen në ngarkim të tyre.

Në rast se pranohet, çështja do të kalojë për seancë gjyqësore, por duhet theksuar që Gjykata e Lartë është akoma në kolaps për shkak se nuk është e formuar me gjyqtarë. Përballja e Tahirit me drejtësinë nisi në nëntor 2017, kur ai u dyshua se i garantonte siguri grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës.


Shtuar 30.09.2020 08:17