Familjarët pretendojnë se është vrarë, policia reagim zyrtar për vdekjen e Nadir Gjatës në Vlorë

Policia e Vlorës ka dalë me një reagim zyrtar në lidhje me vdekjen e pronarit të agjencisë së biletarisë në Vlorë, Nadir Gjata, i cili është gjetur pajetë mëngjesin e kësaj të hëne, pas përfshirjes në një aksident rrugor.

Ndonëse familja e të ndjerit pretendon se ai është vrarë pasi sipas tyre kishte shenja dhune pas koke dhe ishte zhdukur çanta, policia thotë se 63-vjeçari nuk kishte shenja dhune dhe se dyshohet se ka humbur jetën pasi mjeti i tij ka dalë nga rrugë.

Megjithashtë, policia bën me dije se trupi i pajetë u transportua në morg, për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore, për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.

Njoftimi i policisë:

Vlorë/Informacion paraprak

Më datë 21.08.2023, rreth orës 04:00, në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, në afërsi të vendit të quajtur “Kapelja”, shtetasi ., 63 vjeç, banues në Vlorë, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit tip “Ford Fiesta”, për pasojë automjeti i tij ka përplasur një automjet të parkuar (taksi), i cili gjatë zhvendosjes ka përplasur 2 automjete të tjera të parkuara.

Paraprakisht, dyshohet se 63-vjeçari ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, për shkaqe shëndetësore, më pas automjeti i tij është përplasur me automjetin taksi dhe për pasojë ky shtetas ka humbur jetën.

Trupi i pajetë u transportua në morg, për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore, për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës. Nga këqyrja paraprake e trupit, eksperti mjekoligjor nuk ka konstatuar shenja dhune.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe po bashkëpunohet me Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 63-vjeçarit.