Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka këshilluar institucionet shëndetësore që të mos e përdorin ilaçin
antiviral Remdesivir për të trajtuar pacientët me COVID-19, që janë të
shtruar në
spital. Një panel i OBSH-së tha se ilaçi nuk ka “ndonjë efekt të rëndësishëm” në mbijetesë ose në
uljen e kohës së shërimit.
Grupi i Zhvillimit të Udhëzimeve të OBSH-së (GDG) tha më 20 nëntor se nuk kishte “asnjë provë të bazuar në të dhënat aktuale në dispozicion që ky ilaç përmirëson gjendjen e pacientit”.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe dhjetëra vende të tjera kanë dhënë miratim të përkohshëm për përdorimin e ilaçit
antiviral që e prodhon Gilead Sciences, pasi një hulumtim fillestar tregoi se mund të shkurtojë kohën e shërimit te disa pacientë me koronavirus të
shtruar në
spital.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili doli pozitiv për koronavirusin në fillim të tetorit, u trajtua me
Remdesivir si dhe ilaçe të tjera.
Paneli tha se rekomandimi i tij për mjekët bazohej në të dhëna nga katër hulumtime ndërkombëtare të rastësishme që përfshinin më shumë se 7.000 pacientë të
shtruar në
spital me sëmundjen.
Provat zbuluan se Remdesiviri nuk kishte asnjë efekt domethënës në
uljen e vdekshmërisë, nevojën për ventilim mekanik, kohën e rikuperimit dhe faktorë të tjerë.
Sidoqoftë, paneli tha që rekomandimi i tyre nuk do të thotë që Remdesiviri nuk ka përfitime.
Remdesivir u krijua për herë të parë si një ilaç eksperimental për të trajtuar Ebolën./REL
Shtuar më 20/11/2020,
ora 15:40