Dyshimet e para pse u dogj servisi i bosit të Elbasanit
Dalin detaje nga ngjarja në Elbasan ku u dogj servisi i një bosi të dyshuar se merrej me dorgë.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në lagjen “Skënderbej” në superstradë, në qytetin e Elbasanit.

Servisi që gjithashtu shërbente si pikë për shitje automjetesh rezulton në pronësi të shtetasit Elton (Kastriot) Kila, i arrestuar më 18 tetor pasi ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Policia bën të ditur se në servisin “Auto OK” ndodheshin shumë makina, ku 9 prej tyre janë përfshirë nga flakët.

Edhe pse nuk ka një informacion zyrtar, dyshohet se zjarrvënia është e qëllimshme. Për t’i vënë zjarrin servisit dyshohet se autorët kanë hyrë nga një dritare, e cila ndodhet buzë rrugës. Pas marrjes së informacionit, Policia si edhe mjetet e zjarrfikëses u angazhuan për të shuar flakët deri në mëngjesin e së martës.

Dyshohet se zjarrvënia është hakmarrje dhe ka lidhje me të kaluarën e pronarit të servisit dhe se gjithçka mund të ketë ardhur nga prishja e pazareve të drogës. Elton (Kastriot) Kila u arrestua më 18 tetor, pasi Prokuroria e Peskarës në Itali e akuzon atë si pjesë e një organizate të rrezikshme kriminale të specializuar në trafikimin e lëndëve narkotike. Ai pritet të ekstradohet në Itali. Kila, për shkak edhe të punës si tregtar makinash, dispononte shumë automjete luksoze, mes të cilave edhe një “Ferrari”.

Por gjithashtu binte në sy dhe jeta luksoze e dëshmuar përmes fotografive të publikuara në rrjetet sociale. Policia ka ngritur një grup pune për zbardhjen e rrethanave të zjarrvënies, ndërsa mësohet se servisit të Elton Kilës është hera e dytë që i vihet zjarri, pasi dyshimet janë për konflikte të mëparshme të tij që mund të kenë lidhje me trafikun e drogës.

Nga ana tjetër, Policia po heton dhe një zjarrvënie nga vetë të afërmit e 37-vjeçarit në tentativë për të zhdukur prova që implikojnë të riun në të tjera vepra penale, siç është tregtimi i makinave të vjedhura.

Elton alias Kastriot Kila u vu në pranga pas një urdhërarresti të lëshuar nga autoritet italiane rreth një muaj më parë. 37-vjeçari është në hetim nga Prokuroria e Peskarës në Itali, pasi akuzohet se është pjesë e një organizate kriminale, që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.

Kila akuzohet gjithashtu edhe për “Mashtrim” dhe “Kallëzim i rrem디, bënë të ditur burime nga grupi i hetimit. Në profilin e tij në rrjetet sociale, 37-vjeçari ka postuar foto me makina luksoze si “Ferrari”, Porsche”, por dhe në jaht apo duke kaluar pushime në vende ekzotike.
Shtuar më 24/10/2018, ora 17:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori