Dy vjet nga rënia e Dëshmorit të Atdheut Feti Vogli (FOTO-LAJM)

Në mjediset e batalionit të Forcave Speciale në Zall-Herr është zhvilluar sot një ceremoni përkujtimore në nderim të 2-vjetorit të rënies në krye të detyrës gjatë misionit “Eagle-4” në Kandahar, Afganistan, të Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli.

Në këtë ceremoni morën pjesë ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Zyber Dushku, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura, familjarë dhe të afërm të kapiten Feti Voglit, si dhe të ftuar të tjerë.


Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, duke përshëndetur në këtë ceremoni përkujtimore, u shpreh se, nderimi për kapiten Feti Voglin është nderim për atdheun, lirinë dhe vlerat e saj.

"Kapiten Feti Vogli shkëlqeu në pasionin e tij për punën dhe për këtë gëzoi respekt dhe besim nga të gjithë kolegët dhe bashkëluftëtarët e tij. Gjatë gjithë kohës së shërbimit të tij, atë e karakterizonte përkushtimi i lartë ndaj detyrës. Më tej gjatë fjalës së saj, ministrja Kodheli u shpreh se kapiten Fetiu la pas veprën e tij që vështirë se do të mund të harrohet, ai është tashmë pjesë e memories tonë kombëtare." u shpreh ne fjalen e saj ministrja Kodheli.



Më pas, në emër të familjarëve të tij, ka folur vëllai i kapiten Feti Voglit, i cili shprehu falënderimet më të sinqerta për Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm dhe komandën e Batalionit të Forcave Speciale, të cilët i janë gjendur gjithmonë pranë familjes së tij, si dhe për nderimet që i kanë bërë dhe i bëjnë Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli.

Në përfundim të ceremonisë ministrja e Mbrojtjes, Kodheli dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral Bazo bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë bustit të Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Voglit.
Shtuar më 20/02/2014, ora 14:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori