Dy fshatra në Klos të izoluar prej dy muajsh, FA-të hapin rrugën
Forcat e Armatosura përfunduan punimet për hapjen e rrugës rurale të fshatrave Kurdari dhe Kurqelaj në Bashkinë e Klosit, e cila ishte e bllokuar që prej dy muajsh për shkak të rrëshqitjeve të dherave si pasojë e reshjeve të shiut të muajit nëntor të vitit të shkuar.

Në përfundimin e këtyre punimeve ishte e pranishme edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila shoqërohej nga zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve gjeneral brigade Dedë Prenga dhe përfaqësues të pushtetit lokal.

Në fjalën e saj ministrja Kodheli përkujtoi 96-vjetorin e krijimit të armës së Xhenios duke falenderuar efektivët e këtij batalioni, dhe duke përmendur punën e kësaj force gjatë viteve të fundit.

“Festojmë 96-vjetorin e forcës së Xhenios, në një mënyrë jonormale, por unë besoj unikale dhe shumë të bukur, midis njerëzve, mbi një urë të ndërtuar dikur nga ushtria, por dhe pranë të gjitha mjeteve dhe forcave xheniere që sot jo vetëm meritojnë lavdërime dhe mirënjohje nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, por njëkohësisht meritojnë edhe falenderimin e qytetarëve, jo vetëm të kësaj zone, por të gjithë qytetarëve në mbarë Shqipërinë, për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë gjatë gjithë këtyrë viteve.

Vetëm në vitet e fundit, forcat xheniere kanë marrë pjesë në rindërtimin ose ndërtimin nga e para të më shumë se 20 urave në të gjithë vendin. Njëkohësisht kanë qenë pjesë e eliminimit të shkëmbinjve të rrezikshëm për jetën e qytetarëve.

Kanë qenë pjesë e hapjes së rrugëve, pjesë e hapjes së dëborës, pjesë e emergjencave, dhe ajo çka është më e rëndësishme, këtë e kanë bërë me përulësi, e kanë bërë në kohë rekord dhe e kanë bërë pa pretenduar asgjë në këmbim”- u shpreh ministrja Kodheli, pa harruar të kujtojë kontributin e kësaj force në gati një shekull të ekzistencës së saj dhe duke premtuar vëmendje më të madhe për këtë zonë, ku siç theksoi ajo “shpeshherë është abuzuar kur flitet për infrastrukturën, kur flitet për investimet”.

Forcat e Armatosura mbeten të angazhuara në hapjen e rrugëve rurale të bllokuara nga bora në veri dhe në jug të vendit, si dhe në shpërndarjen e ndihmave në këto zona. /albeu.com/
Shtuar më 22/01/2017, ora 12:47

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori