Dy aksione të dështuara: Si u arrestua herën e tretë i "frikshmi" i bandës së Llanajve
Tesilvan Basho është emri që ka zënë pasditen e kësaj të mërkure faqen kryesore të mediave. Kjo, sepse ky person është një prej atyre që konsiderohen si tepër të rrezikshëm, gjakftohtë dhe në çdo rast “i gatshëm” të kryejë krim.

Emri i të arrestuarit, që njihet edhe si “Tesi Basho”, “Tesi i Llanajve”, apo “Tesi i Vlorës” njihet në Shqipëri, Itali, Spanjë e deri në Holandë. Për arrestimin e tij të paktën tre vitet e fundit jo vetëm që ka pasur operacione, por Italia ka ofruar edhe fonde nga buxheti i saj.

Kjo, sepse personi konsiderohej me rrezikshmëri të shkallës së lartë. Por, për të arrestuar Tesilvan Basho në Shqipëri ka pasur disa operacione nga ato më të thjeshtat e deri tek më të ndërlikuarat.

Burime policore bëjnë të ditur se Tasho ka qenë në gjurmim dhe në ndjekje të karakterit operativ. Policia kishte marrë informata të sakta se ai ndodhej në Shqipëri të paktën në harkun kohor të 6 muajve të fundit.

Në fillim të muajit gusht, Policia mori informacion se Tesi Basho ishte në një lokal në Vlorë në afërsi të “Ujit të Ftohtë”. Por vetëm kaq. Policia nuk ndërhyri, pasi duke ditur rrezikshmërinë e personit e kishte të pamundur e sidomos në atë zonë tejet të populluar

Edhe në një tjetër rast, Basho e ka kuptuar se Policia vërtitej për arrestimin e tij dhe ka gjetur mënyrën të fshihej, duke lënë me “gisht në gojë” forcat e Policisë.

Ndërsa dje pasdite, Vlora ishte e blinduar me forca policie. Dhe informacioni ka qenë tejet sekret. Asnjë nga titullarët e Policisë së Vlorës nuk e dinte se të gjithë kishin zbarkuar për të arrestuar personin më të rrezikshëm, të arratisur nga burgu në Itali e që kishte drejtuar për shumë vite një organizatë të trafikut të drogës.

Vetëm në mesnatë, policia e Vlorës është urdhëruar të mbështesë me mjete dhe trupa forcat RENEA, që ndërmorën operacionin në Selenicë, ku dhe arrestuan Bashon, që është anëtar i bandës së rrezikshme të Llanajve. /Shqip/
Shtuar më 17/10/2019, ora 08:47

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori