DW: Si po ndërhyn "Big Brother-i" Erdogan në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni
Pëlqej
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
Turqia po përpiqet të rrisë ndikimin e saj në Ballkan. Gazetari i Deutsche Welle, Darko Janjevic bisedoi me Erdoan Shipoli, ekspertin e çështjeve të Turqisë dhe Ballkanit me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin diskutoi për këtë çështje dhe qëndrimin e Bashkimit Europian në raport me vendet e Ballkanit.

Dr. Shipoli, cilat janë objektivat dhe qëllimet e Turqisë në Ballkan dhe çfarë po përpiqet të arrijë Turqia me veprimet e saj?

Historikisht, institucionet turke dhe veçanërisht ushtria apo dhe burokracia turke, kanë shprehur një interes të vazhdueshëm për Ballkanin, sepse historikisht Ballkani është konsideruar si rruga e saj e vetme për në Europë.

Turqia historikisht e ka parë Ballkanin si një rrugë dhe mundësi, të cilët mund ta përdorë për të rritur ndikimin e saj në rajon dhe në Europë. Megjithatë, në vitet e fundit të epokës Erdogan, Turqia ka rritur ndjeshëm ndikimin e saj në Ballkan dhe e ka parë këtë të fundit si një “levë”, të cilën mund ta përdorë në çdo kohë për arritjen e qëllimeve të saj.

Pra, qeveria e Erdoganit dëshiron që të rrisë ndikimin e saj në shoqëritë e vendeve të Ballkanit, duke investuar dhe duke ndihmuar disa organizata të shoqërisë civile… Ai e bën këtë me qëllimin e vetëm që nesër të mund t’i përdorë këto vende kundër Evropës dhe t’u thotë europianëve: “Ne kemi shumë ndikim në Ballkan, portën hyrëse për në Europë dhe këtë ndikim mund ta përdorim si shantazh kundër jush”.

Pra, qeveria e Erdoganit mendon që mund ta përdorë praninë dhe influencën e saj në Ballkan për të imponuar politikat europiane në një drejtim të caktuar dhe që të arrijë qëllimet e saj?

Po! Të paktën, kjo është ajo që Erdogan mendon aktualisht. Por, nuk besoj dhe nuk mendoj që ai mund të ketë sukses në këtë drejtim.

Sigurisht që Turqia ka një ndikim politik jo të vogël në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnje dhe padyshim që është një aktor i rëndësishëm rajonal, por thjesht për çështje të cilat përkojnë me politikat e Bashkimit Europian. Për vendet e Ballkanit, aspirata kryesore është anëtarësimi i tyre në Bashkimin Europian. Për shumë vite, ky ishte edhe qëllimi i Turqisë.

Tani që Turqia po largohet nga ky qëllimi, ndikimi turk në Ballkan është në rënie.

Cili është ndikimi real i politikave të Ankarasë në rajon?

Përsa i përket republikave ish-Jugosllave, ndikimin më të madh ajo e ka në Bosnje, pastaj në Maqedoni, pastaj në Kosovë dhe e fundit është Shqipëria.

Natyrisht, ajo ka marrëdhënie më të mira tregtare me Bullgarinë dhe komunikim më të mirë me komunitetin turk në Bullgari se sa në Kosovë, për shembull. Në të vërtetë, Turqia nuk ka ndikimin politik që pretendon të ketë në Ballkan, dhe sigurisht nuk ka atë ndikimin që ajo dëshiron të ketë.

Turqia mund të rrisë ndikimin e saj në Ballkan, vetëm nëse Bashkimi Europian thyen premtimin e saj për të punuar me vendet e Ballkanit. Përndryshe, në qoftë se ata do të duhet të zgjedhin, vendet e Ballkanit do të zgjedhin integrimin në Bashkimin Europian dhe nuk do ta shikonin Turqinë si një vend strategjik.

Megjithatë, shumë njerëz në Bosnje dhe komunitetet e tjera myslimane në të gjitha vendet e Ballkanit e shohin Erdogan si një lloj “Big Brotheri” (Vëllai i Madh) dhe Erdogani kohët e fundit ka përdorur masakrën e Srebrenicës si “provë” të urrejtjes së Europës ndaj myslimanëve, dhe i pëlqen të portretizojë veten si mbrojtës të myslimanëve. Sa e vërtetë është kjo ndjenjë dhe a është kjo një manovër politike?

Një gjë të tillë ai po e përdor për konsum të brendshëm politik. Natyrisht, myslimanët boshnjakë kanë simpati për Turqinë, pasi Turqia dhe disa vende të tjera myslimane i kanë ndihmuar ata gjatë luftës, para vendeve të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në Kosovë, kjo nuk ka ndodhur dhe shqiptarë myslimanë të Kosovës nuk e shohin Turqinë si vëllain e madh të tyre. Megjithatë, ndërsa Erdogan dhe Turqia nuk kanë fuqi për të ndikuar në asnjë prej vendeve të Ballkanit, Erdogan është mjeshtër në përdorimin e retorikave politike për arritjen e qëllimeve të tij politike. Ai po e përdorur masakrën e Srebrenicës për të bindur turqit që ai kujdeset për myslimanët, dhe kjo do të sjellë atij më shumë vota, sepse nuk duhet të harrojmë faktin që në Turqi jetojnë shumë turq me prejardhje boshnjake, bullgare apo dhe shqiptare, të cilët historikisht nuk kanë votuar për Erdoganin. Ndaj, duke përdorur një retorikë të tillë politike, ai po përpiqet të fitojë mbështetjen dhe votat e tyre pro referendumit dhe po përpiqet t’i bindë ata se ai është gati të luftojë për Ballkanin – në këtë rast, kundër Holandës për Srebrenicën.

Çfarë po bën konkretisht Turqia për të rritur ndikimin e saj në Ballkan?

Pas përpjekjeve të grushtit të shtetit, shumë institucione turke në Ballkan shikohen me dyshim nga Ankaraja…
Pas tentativës së grushtit të shtetit, qeveria Erdoganit është përpjekur për të rritur ndikimin e saj dhe ka rritur presionet mbi qeveritë e Ballkanit, veçanërisht në lidhje me lëvizjen Gylen, por deri më tani kjo strategji nuk ka rezultuar e suksesshme.

Deri më tani kemi parë që në Maqedoni dhe Bulgari ajo po përpiqet të rrisë ndikimin e saj përmes krijimit të partive të veta politike dhe fuqizimin e tyre dhe po përpiqet të rrisë ndikimin e saj në vendet e tjera, duke rritur kontrollin e drejtpërdrejtë të partive ekzistuese përmes bashkëpunëtorëve të ngushtë të Erdoganit. Qeveria turke po përpiqet, duke përdorur njerëzit e vet, kryesisht besnikët e Erdoganit që kanë studiuar në Turqi, apo individë që njihen për lidhjet e tyre me qarqet pranë Erdoganit.

Personalisht, kam frikë se ajo po fiton terren duke përdorur disa organizatave të shoqërisë civile. Për shembull, TIKA (Agjencia Turke për Zhvillim) ka rritur investimet në Ballkan dhe kohët e fundit ka sponsorizuar shumë vizita në Turqi dhe kjo është pjesë e strategjisë së tyre për rritjen e ndikimit në këto vende. Gjithashtu thuhet se ka pasur disa akte të diskutueshme të cilat janë duke u hetuar.

Këtu, duhet të bëjmë një dallim midis Turqisë dhe veçanërisht qeverisë së Erdoganit, sepse qëllimi kryesor i këtij të fundit tani nuk është më rritja e ndikimit të Turqisë, por rritja e ndikimit të Erdoganit dhe popullaritetit të tij. Ne tashmë e dimë që pikërisht pjesë e kësaj strategjie janë dhe tubimet dhe grupimet e krijuar në Prizren, Shkup apo Novi Pazar, ku këtyre grupimeve u jepen fotografitë e Erdoganit për të treguar se ai ka simpatizantë kudo.

Dhe sa e vendosur është Ankaraja për realizimin e këtij projekti? A është Turqia e interesuar për destabilizimin e Ballkanit, rritjen e valës së re të nacionalizmit dhe inkurajimin ndikimit ushtarak?

Nuk besoj! Turqia nuk është e interesuar për destabilizimin e situatës së sigurisë në Ballkan. Por në qoftë se kjo do ishte diçka që Erdogan mund të përdorte, nuk besoj se ai do ta bënte një gjë të tillë. Nuk besoj se Turqia kërkon një Ballkan destabilizuar. Sepse atëherë Turqia do të ishte e rrethuar nga të gjitha anët me rajone të destabilizuara.

Por, vendet e Bashkimit Europian duhet të angazhohen më shumë për të forcuar perspektivën europiane për vendet e Ballkanit dhe të mos i lejojnë këto vende që të jenë pjesë e axhendës individuale të Erdoganit.

*Erdoan Shipoli, ka lindur në Kosovë dhe aktualisht vazhdon studimet e tij në Qendrën e Mirëkuptimit Myslimano-Kristiane në Universitetin Georgetoun dhe Ndihmës Dekan i Fakultetit të Marrëdhënieve Publike dhe Ndërkombëtare në Universitetin Ndërkombëtar të Virxhinias. /Deutsche Welle/
Shtuar më 20/03/2017, ora 12:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori