Durrës / 22-vjeçari me 9 apartamente gjurmohet nga Prokuroria
Prokuroria për Krime të Rënda me miratimin e gjykatës, ka sekuestruar 9 apartamente të regjistruara në bulevarin kryesor të Durrësit, në emër të 22-vjeçarit Arlind Kalaja.

Sipas prokurorisë, ekzistojnë dyshime se pasuria e 22-vjeçarit është krijuar në bazë të burimeve të paligjshme dhe kriminale të babait të tij, Fatmir Kalaja, i cili ka përfituar shuma të konsiderueshme parash në Itali, ku është procedurar për vepra penale vjedhje, vrasje me dashje.

Hetimit ndaj shtetasve Kalaja kanë nisur nga Prokuroria e Durrësit në muajin prill të këtij viti, bazuar në informacionet se këta shtetas kanë qarkulluar shuma të konsiderueshme parash në llogaritë e tyre bankare.

Më pas hetimi i'u përcoll Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila po zhvillon hetime në kuadër të ligjit "Antimafia".

Dyshimet e transmetuara nga shteti italian mbi precedentët kriminalë të këtij të fundit, blerja e këtyre apartamenteve në një kohë shumë të shkurtër brenda dy muajve të vitit 2014 (shtator – tetor 2014, si dhe cmimet e shitblerjes nën vlerën reale të sendeve (sipas shënimeve në kartelat e pasurisë dhe në deklaratat noteriale, konstatohet lehtësisht që të gjithë apartamentet e blera nga Arlind Kalaja, janë përftuar me gjysmën e cmimit real të tyre), ka ndikuar në realizimin e veprimtarisë kriminale për të cilën dyshohet Arlind Kalaja.

Mungesa e të ardhurave të ligjshme (duke mos patur asnjë aktivitet ekonomik në Shqipëri, shumat e parave që kanë qarkulluar në banka, në format e kreditimit dhe debitimit), moshën e re të Arlind Kalasë, vetëm 20 vjeç në kohën e përfitimit të pasurive, shtojnë dyshimet mbi burimin e të ardhurave të të dyshuarit Arlind dhe babait të tij, Fatmir Kalaja. /albeu.com/


Shtuar më 09/10/2016, ora 10:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori