Dule në krah të PD
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, me anë të një deklarate për mediat bën me dije se ka vlerësuar ecurinë e dialogut për Reformën në Drejtësi dhe kompromisin e arritur deri tani.

"Partia Bashkimi për te Drejtat e Njeriut, vlerëson ecurinë e dialogut për Reformën në Drejtësi dhe kompromisin e deritanishëm.

Kjo përbën natyrisht një arritje që dëshmon pjekurinë e klasës politike dhe aftësinë e saj për të kapërcyer barriera tradicionale, paragjykime por edhe interesa politike të ditës.

Me të njëjtin vullnet pozitiv dhe garancitë e paanshme të partnereve tanë, mbështetës të sinqertë të çdo procesi jetik për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në vendin tonë, është plotësisht i arritshëm kompromisi edhe për piken e vetme dhe të fundit të mbetur pa dakortësi.

Inkurajojmë vazhdimin pa humbur kohe, të dialogut të sinqertë dhe negocimit shterrues me sigurinë se do të çojnë shumë shpejtë në plotësimin e kërkesës së fundit legjitime të opozitës konform rekomandimit nr. 88 të Komisionit të Venecias dhe arritjen e konsensusit të shumëpritur nga qytetaret dhe shoqëria.

Krahas rëndësisë madhore për vetë fatet e drejtësisë, një zhvillim i tillë do të përbënte precedentin më të çmuar në rrugën e gjatë dhe të vështirë të reformave europianizuese të jetës së vendit". /albeu.com/

Shtuar më 16/06/2016, ora 16:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori