Duka rrëfehet pas paktit: Basha u dorëzua para Ramës
Pëlqej
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka reaguar sërish mbi marreveshjen Basha-Rama, marrëveshje e cila u arrit falë negociatave të iniciuara nga vetë ai.

Duke është shprehur se e shikon si një mision të pamundur që partitë e vogla politike të dalin me mandate pas marrëvjeshjes Rama-Basha.

Duka deklaron se ka qenë në komunikim intensiv me kreun e PDsë Basha, me përjashtim të orëve kur ky i fundit ishte në takim me kryeministrin Rama, shkruan Panorama.

Kreu i PAA-së thekson se, nëse pas zgjedhjeve do të ketë një marrëveshje Rama-Basha, e cila do të jetë në interes të qytetarëve, ai do të ketë një qasje konstruktive në raport me të.

Ju ishit iniciator i tryezës së kryetarëve të partive parlamentare, nga e cila u prodhua edhe marrëveshja që i dha fund krizës politike Rama-Basha. Mendoni se tani që janë bërë publike pikat e bashkëpunimit ishte ajo marrëveshja që i duhej vendit?

Si fillim dua të them se u bëra iniciator i një tryeze, që i dha fund një krize politike që shkonte përtej Ramës dhe Bashës pasi, nëse ata ishin autorët kryesorë të këtij ngërçi, edhe pasojat e një krize më të gjerë do t’i pësonim të gjithë ne.

Nëse nuk do të kishim ulur palët në një vijë të mesme, e ardhmja do të ishte shumë e zymtë për Shqipërinë. Ndonëse nuk jam i kënaqur me të gjitha pikat, marrëveshja krijon kushtet për të eliminuar ato fenomene endemike që kanë cunguar proceset zgjedhore në vitet e shkuara.

Roli konstruktiv që Partia Agrare Ambientaliste pati në këta muaj ishte në dobi të përmirësimit të proceseve dhe institucioneve dhe këtë e arritëm.

Në shumë pika duket se Rama e Basha falë dakordësisë mes tyre kanë anashkaluar edhe pikat e paketës McAllister, duke nisur që nga data e zgjedhjeve.

Jeni konsultuar ju me Bashën dhe mendoni se duhej që palët t’i përmbaheshin vetëm paketës së dakordësuar?

Sigurisht që marrëveshja nuk është ajo e paketës McAllister, për këtë u quajt edhe McAllister plus, por në thelb rezultati ishte i barasvlershëm për sa i përket garancive që ne kërkuam në funksion të përmirësimit të cilësisë së procesit elektoral.

Data nuk është e njëjta, por sikurse ndodh në çdo marrëveshje, duhet të marrësh dhe të japësh. Pra, gjykoj se data ka qenë një lëshim i Bashës kundrejt qëndrimeve ultimative të Ramës. Më Bashën kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm gjatë gjithë procesit, me përjashtim të orëve në të cilat ishte ballë për ballë me Ramën, atij i besuam negociatat si përfaqësues i partisë më të madhe të opozitës.

Nuk gjykoj se ndryshimet në përmbajtje duhen komentuar tani. Ajo që ka rëndësi është rezultati, pra zhvillimi i zgjedhjeve dhe cilësia e tyre.

Pakti Rama-Basha në pikën ku nuk lejon koalicionet, dëmton drejtpërdrejt partitë e vogla. PAA kishte nisur një fushatë në gjithë vendin, përmes së cilës priste të nxirrte disa deputetë dhe të formonte një grup parlamentar në zgjedhjet e ardhshme. Do t’i shkrini ju listat me PD?

Partitë e vogla janë realisht të rrezikuara. Pamundësia për koalicion e bën një mision gati të pamundur për pjesën dërrmuese të partive të vogla kalimin e pragut. Kjo situatë nuk është krijuar sot, por i ka rrënjët në një kod elektoral ndëshkues për partitë e vogla.

Gjykoj se jemi përballë një rreziku të madh për demokracinë përfaqësuese, pasi në këtë kontekst gati 200-300 mijë zgjedhës rrezikojnë të mos përfaqë- sohen në legjislaturën e ardhshme. Nuk dua të hyj në spekulime mbi natyrën e këtij vendimi, por dua të them se mënyra se si partitë e vogla trajtohen është diskriminuese.

Është krijuar me dashakeqësi dhe malinjitet ideja se partitë e vogla janë penguese ose përfituese, por në fakt po kërkohet të ndëshkohen ata qytetarë që nuk gjejnë përgjigje dhe zgjidhje nga partitë e mëdha.

Nëse Partia Agrare Ambientaliste, e cila ka dhënë kontributin e saj që në ditët e para të pluralizmit, ekziston sot, nuk është për vullnet të Agron Dukës, por ekziston sepse 50% e popullsisë që jeton dhe punon në zonat rurale ndihet e papërfaqësuar prej vitesh nga partitë e mëdha.

Vullneti ynë për të krijuar një grup parlamentar që do të merrej vetëm me çështjet agrare dhe ambientaliste vjen si pasojë e kësaj pjese të popullsisë, që është lënë në harresë. Ky është ende vullneti ynë dhe për këtë do të punojmë.

Ka një pakt me kreun e PD-së Basha për të qenë kryetarët e partive aleate në listat e PD?

Ka një propozim nga ana e z. Basha dhe jemi duke e shqyrtuar. Është një proces kompleks, i cili ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Gjithsesi, jemi ende duke analizuar situatën dhe duhet të masim forcat tona.

Do ta mbështesnit një marrëveshje paszgjedhore qeverisëse Rama-Basha për hir të stabilitetit të vendit dhe realizimin e objektivit të anëtarësimit në BE?

Në demokraci qeveris shumica. Nëse një marrëveshje e tillë është në interes të qytetarëve, patjetër që unë do të kem një qasje konstruktive. Është koha që vendi të arrijë ata objektiva kombëtarë dhe ndërkombëtarë që kanë munguar në këto 25 vite. /albeu.com/

Shtuar më 20/05/2017, ora 15:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori