Dueli i dekadës
Pëlqej
Albeu.com
Ahmeti dhe Xhaferi i bëjnë përgatitjet e fundit para duelit televiziv.Edhe pse thonë se nuk kanë nevojë për stërvitje paraprake, mësohet se të dy krerët e politikës shqiptare kanë mbledhur bashkëpunëtorët e tyre për t’i këshilluar ku të pikëshënojnë dhe si të mbrohen.

Dy liderët politikë të shqiptarëve, Ali Ahmeti (BDI) dhe Arbën Xhaferi (PDSH), për herë të parë do të ballafaqohen në një duel televiziv. “Ringu” do të jetë në lokalet e Radiotelevizionit të Maqedonisë derisa “gongu” do bie në orën 20 të ditës së mërkurë.
Edhe pse thonë se nuk kanë nevojë për stërvitje paraprake, mësohet se të dy krerët e politikës shqiptare kanë mbledhur bashkëpunëtorët e tyre për t’i këshilluar ku të pikëshënojnë dhe si të mbrohen.
Në BDI paralajmërojnë se Ahmeti do të mbajë nivel dhe nuk do të merret me goditje të ulta. “Do të numërojë të arriturat e BDI-së gjatë gati katër viteve që është në pushtet, dhe në këtë drejtim ka shumëçka për të thënë”, tha një funksionar i lartë i BDI-së.
Ahmeti do të tentojë që emisioni të rrezatojë një energji pozitive me qëllim që simpatizuesit e të dy partive të mos armiqësohen ndërmjet veti, gjë që do të rrezikonte mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare. “Ahmeti nuk është duke u përgatitur. Nuk ka nevojë për këshillime, stërvitje… sepse në atë emision do të flitet me gjuhën e argumenteve. Të dy liderët do të shpalosin faktet dhe qëndrimet për çështje të caktuara, kurse do të jetë opinioni ai i cili do të vlerësojë se kush ka të drejtë”, tha bashkëpunëtori i Ahmetit me kusht anonimiteti.
Megjithëse pranon se përgatitja paraprake për duele është praktikë e politikanëve perëndimorë, ai u shpreh se mendimet e Ahmetit janë spontane dhe shkojnë në të njëjtin drejtim me vijën politike të BDI-së. “Nuk mund të ndërrojmë qëndrimet varësisht prej ditës dhe momentit”, theksoi ai.
Te tabori i Xhaferit janë të sigurt se lideri do të shkëlqejë në këtë emision pasi bëhet fjalë për një politikan me përvojë dhe me një bagazh të vërtetuar intelektual e politik.
Të drejtat e shqiptarëve, implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, ndryshimet radikale në të mirë të shqiptarëve që PDSH-ja i ka bërë gjatë qeverisjes së saj, pozita gjeostrategjike e shqiptarëve në Ballkan, Kosova…., janë këto temat ku do të fokusohet Xhaferi.
Në PDSH mohojnë se Xhaferi po përgatitet për duel. “Më së paku Arbën Xhaferi ka nevojë për përgatitje në duele apo në dhënien e deklaratave. Ai është i gatshëm të ballafaqohet në çdo moment me cilin do politikan, pa kurrfarë përgatitjesh paraprake”, tha një zyrtar i lartë i PDSH-së.
Ndërkohë që analistët politikë nuk dëshirojnë të komentojnë para kohe duelin apo të parashikojnë fituesin. Thonë se Ahmeti është më popullor, derisa Xhaferi flet me një diskurs më të lartë politik.

Shaqiri u kërkon mejdan Ahmetit dhe Xhaferit

Gostivar - Në emisionin debativ “Neutral”, në televizionin privat Tv2 në Gostivar, kryetari i Forcave të Reja Demokratike (FRD), Hysni Shaqiri publikisht ka bërë thirrje për duel televiziv mes tij, kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti si dhe kryetarit të PDSH-së Arbën Xhaferi. Arsyeja e ftesën publike për duel televiziv që e kërkoj lideri i FRD-së, Hysni Shaqiri mes tij dhe Ali Ahmetit i cili në luftën e vitit 2001 ka qenë udhëheqës i UÇK-së si dhe Arbën Xhaferit njërit nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohriti, është zbardhja dhe publikimi i së vërtetës mbi luftën e vitit 2001, realiteti për Kalanë e Tetovës, fondi i ish-UÇK-së, si dhe periudha para dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.“Jam i gatshëm që pikërisht në këtë emision të ballafaqohem me krerët e pushtetit dhe opozitës të cilët në ngjarjet e 2001-shit u prinin proceseve politike dhe ushtarake”, theksoi mes tjerash Hysni Shaqiri.
nga XHELAL NEZIRI, Lajm
Shtuar më 27/02/2006, ora 17:37
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori