Drogë, armë e municione, banda e Habilajve bënte xhiro 20 milionë euro
Detaje të reja janë zbuluar nga prokuroria e Katanias në lidhje me bandën e Habilajve.

Prokuroria thotë se ky grup trafikonte droge dhe armë me xhiro 20 mln euro.

Banda drejtohej nga shqiptarët me bashkëpunëtorë italianë, ndërsa kreu i saj ishte Moisi Habilaj

HETIMET

Për hetimin e kësaj prokurorie, në kuadër të operacionit të njohur si “Rosa dei Venti” që solli në ekzekutimin e një mase arresti të Gjykatës së Catanias për 11 persona, pjesë e një organizate kriminale italo-shqiptare të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe të armëve, efektivët e Guardia di Finanza në Komandën Rajonale të Catanias kanë mbërritur para pak ditësh me mision në Tiranë, Shqipëri.

Oficerët e Njësisë së Policisë Gjyqësore të Catanias, me ndihmën e kolegëve të Shërbimit Ndërkombëtar të Policisë në Departamentin e Sigurisë Publike-Interpol, Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza dhe Drejtorinë Qendrore të Shërbimeve Antidrogë kanë dorëzuar aktet e referuara, procedimin penal Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare dhe kanë marrë pjesë në arrestimin e një prej 4 shqiptarëve që nuk u kap në territorin italian por që ishte në kërkim me një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata e Catanias me kërkesë të Prokurorisë.

Bëhet fjalë për Nezar Seitin, (lindur në Shqipëri në 30/03/1977) në rolin e tij si përgjegjës transporti dhe përgjegjës për shkarkimet në Itali të lëndës narkotike, në organizatën e përfaqësuar nga Moisi Habilaj, (dlt.1978) koka e këtij trafiku, e nga bashkëpunëtorët e tij, Maridian Sulaj e Fatmir Minaj, (dlt.1962), tashmë të arrestuar në 14 tetor në Ragusa.

Në lidhje me Nezar Seitin dhe arrestimet e tjera të shtetasve shqiptarë, nga hetimet e bëra nga policia e Tiranës është zbuluar në ngarkim të grupit kriminal ndërkombëtar, një tjetër ngarkesë marijuane që do të trafikohej nga Shqipëria në Itali me rreth 4 ton, e sekuestruar në vend falë edhe shkëmbimit të informacionit të realizuar mes autoriteteve gjyqësore të dy vendeve.

Kujtojmë se organizata italo-shqiptare në vitet e fundit kishte arritur të transportonte në Itali nga brigjet shqiptare më shumë se 3 ton e gjysmë marijuanë e cila në disa raste është sekuestruar pas hetimeve të gjata dhe komplekse.

Banda, e cila dispononte edhe armë dhe municione, pasi i janë sekuestruar automatikë tip kallashnikov dhe qindra municione, kishte marrë kontrollin e importit nga Shqipëria të sasive të mëdha të drogës, të llojit marijuanë që më pas përdorej për të mbushur sheshet në Catania dhe në provincat e Ragusës e Siracusës, duke realizuar një xhiro prej më shumë se 20 milionë eurosh.

Bashkëpunimi ndërkombëtar mes autoriteteve gjyqësore, i favorizuar nga operacionet e stafit të Interpol, të DCSA dhe të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza, ka bërë të mundur kështu të mbyllen me sukses ekzekutimet e masave të arrestit të dhëna nga Gjykata e Catanias. /albeu.com/
Shtuar më 31/10/2017, ora 12:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori