Droga, shkarkohet nëna e trafikantit
Albeu.com
Ministri Mustafaj liron nga detyra e specialisten Jolanda Parrucën. Pasaporta e të birit, jashtë afateve ligjore. Arrestimi i të birit, Erjon Parruca, për trafikim lëndësh narkotike, i cili zotëronte jashtë afateve pasaportë diplomatike, i ka kushtuar punonjëses së MPJ-së largimin nga puna dhe ndërprerjen e karrierës diplomatike.Jolanda Parruca, specialiste në Ministrinë e Punëve të Jashtme, është shkarkuar dje nga detyra me vendim të ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj. “Ministri i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, bazuar në “Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe rregulloren për Shërbimin e Jashtëm, liroi nga detyra Jolanda Parrucën, specialiste në MPJ. Ky lirim u krye si pasojë e incidentit të ndodhur disa ditë më parë në aeroportin e Romës, ku i biri i saj, Erjon Parruca, mbajtës i një pasaporte diplomatike, për arsye që lidhen me funksionet e mëparshme të nënës së tij, u ndalua nga autoritetet italiane të antidrogës nën akuzen e trafikimit të lëndëve narkotike. Ai e kishte humbur prej muajsh të drejtën për të mbajtur pasaportë diplomatike, për shkak të emërimit të nënës së tij në një detyrë të re”, - thuhet në njoftimin për shtyp të MPJ-së. Jolanda Parruca deri dje në mbrëmje, punonte si specialiste në Drejtorinë e Shtypit dhe Informacionit në institucionin e diplomacisë. Ndërkohë për disa vite ajo ka punuar si sekretare e parë e amdasadës shqiptare në Paris dhe është kthyer në Tiranë 6-7 muaj më parë. Gjatë kohës që ajo ka shërbyer në ambasadën tonë në Francë, duket se edhe i biri Erjoni ka përfituar pasaportën diplomatike të cilën vazhdonte ta përdorte edhe pse së fundi atati i përdorimit të saj kishte përfunduar. Ligji “Për shërbimin e jashtëm” parashikon se anëtari i shërbimit të jashtëm ka të drejtë të zotërojë pasaportë diplomatike. Por aty nuk thuhet nëse fëmijët e diplomatit kanë të drejtë tá zotërojnë këta lloj pasaporte. Përderisa pasaportë diplomatike mbajnë fëmijët e shumë diplomatëve te tjerë, duket se kjo procedurë është rregulluar nëpërmjet akteve nënligjore plotësuese të ligjit në fjalë.
A. Rama, Shekulli
Shtuar më 23/10/2005, ora 18:55
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori