Droga dhe eurobondi fundosin euron, kaq zbriti sot
Pëlqej
euro
Monedha e përbashkët e ka nisur këtë javë duke shënuar një rënie të fortë në tregun vendas.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 125.04 lekë, duke u ulur me 0.08 lekë në raport me fundin e javës së kaluar. Vetëm gjatë muajit tetor, monedha e përbashkët ka humbur gati 1.2 lekë. Në rënie ditën e sotme ishte dhe dollari, që u këmbye me 108.58 lekë, 0.66 lekë më pak se e premtja, duke treguar se luhatjet e monedha lidhen kryesisht me faktorë të brendshëm, pra është monedha vendase ajo që është e fortë.

Euro ka arritur në nivelin më të ulët që nga 7 qershori, një ditë përpara se Banka e Shqipërisë të fillonte një seri ndërhyrjesh të jashtëzakonshme në tregun e brendshëm, ku ajo bleu më shumë se 100 milionë euro në treg për një periudhë të shkurtër kohore, për të frenuar rënien e euros, që në 5 qershor arriti në 124.17 lekë, niveli më i ulët në 10 vjet. Por, ndërsa këto ndërhyrje arritën të stabilizojnë euron në nivelin e 126 lekëve deri në fund të muajt shtator, tashmë monedha e përbashkët ka filluar sërish tendencën rënëse.

Ekspertët e tregut valutor pohojnë se dy janë arsyet kryesore të kësaj tendence.

E para është valuta informale që hyn në tregun shqiptar, që është shtuar që mëse një vit më parë, kur kanabisi u mboll masivisht, dhe një pjesë e valutës hyri në tregun e brendshme. Goditjet e fundit të policisë treguan se krimi i organizuar ka kaluar në një nivel tjetër, përmes përpunimit të drogave më të forta (rasti i kapjes së punishtes së përpunimit të heroinës në Has).

Së dyti, në tetor, emetimi i eurobondit 500 milionë euro nga qeveria shqiptare po ndikon në zhvlerësimin e euros. Në dy ditët pas emetimit të eurobondit në javën e parë të tetorit, euro u zhvlerësua me gati 0.7 pikë përkundrejt lekut. Sipas ekspertëve bankarë, shumë individë që kanë dashur të investojnë, kanë mbajtur një pozicion të hapur, dhe pas realizimit të Eurobondit, po kthejnë fondet e tyre në euro në monedhën vendase, apo po shikojnë alternativa të tjera investimi, siç është blerja e bonove të thesarit dhe kjo pritej të kishte një ndikim gradual në kursin e këmbimit në favor të lekut. Për më tepër, qeveria një pjesë të borxhit të marrë në euro do ta përdorë në tregun e brendshëm për të kryer shpenzime në lekë.

Lidhur me rënien e ditës së sotme, ekspertët pohojnë se një tjetër arsye lidhet me faktin që është dita e fundit e pagimit të sigurimeve, ku bizneset, që kanë të ardhurat në valutë nxitojnë të konvertojnë eurot në lekë.

Agjentët e tregut valutor thanë se Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në treg të mërkurën e javës së kaluar, përndryshe rënia e euros do të kishte qenë edhe më e thellë.

Që nga fillimi i këtij viti, kur euro u hap me 133.07 lekë, monedha e përbashkët ka rënë me 8 lekë, duke u luhatur aktualisht afër niveleve më të ulëta në 10 vjet.

Ekspertët presin që euro të vijojë të jetë e dobët në tregun e brendshëm, edhe pse ngrënë supet për arsyet. /monitor/
Shtuar më 22/10/2018, ora 12:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori