Dritat, Berisha: E kaluam kolapsin
Albeu.com
Kryeministri tha se ENEL-i italian do të japë energji elektrike. “Vendi nuk do të futet në kolaps ... S’mund të them shkëlqyer, por do të vazhdojnë veprimtarinë e tyre si para shfaqjes së thellimit të kësaj krize” theksoi mes tjerash Berisha.Brenda pak ditësh kryeministri Sali Berisha ka premtuar se qeveria që ai drejton do të realizojë regjime krejt të tjera të furnizimit me energji elektrike. Ai ka premtuar se vendi do të kthehet në regjimet e mëparshme, që do të thotë me fjalë të tjera, më shumë drita, por jo 24 orë. Pas takimit të zhvilluar ne Romë me drejtuesit e kryesorë të ENEL-it, Berisha ka deklaruar se ka marrë garancitë e plota për të tejkaluar së shpejti krizën energjetike. “Në këtë qëndrim të shkurtër pata një takim me drejtuesit kryesorë të ENEL-it, presidentin, drejtorin ekzekutiv dhe drejtues të tjerë. Ata shprehën gatishmëri të plotë për të ndihmuar Shqipërinë në kapërcimin e krizës energjetike. Pra, mund t’u them se ishte një udhëtim i frytshëm në të cilin natyrisht unë veçoj si moment kulmor audiencën me papën Benedikti XVI”, - tha dje Berisha për mediat menjëherë pas mbërritjes së tij në aeroportin “Nënë Tereza”. I pyetur se si mund ta ndihmojë ENEL konkretisht Shqipërinë për krizën energjetike, Berisha nuk komentoi gjatë, por vetëm siguroi se së shpejti Shqipëria do të rikthehet në regjimet e mëparshme. “Eneli do ta ndihmojë Shqipërinë dhe Shqipëria së shpejti, ashtu siç kemi deklaruar, jo vetëm që nuk do të përfundojë në kolaps energjetik, por do të rikthehet në regjimet e mëparshme, sepse qeveria ka marrë të gjitha masat dhe brenda shumë pak ditëve do të realizojë regjime krejt të tjera të furnizimit me drita”, - tha ai. Megjithatë, përfaqësues të medias kanë insistuar gjatë në këtë pikë, duke pyetur sërish se a është arritur gjatë këtij takimi tranzitimi i transportit. “Janë arritur që të gjitha dhe priten tani vetëm disa formalitete burokratike bankare etj., të cilat kërkojnë kohën e vet për t’u konkretizuar. Nesër mblidhet qeveria për të vendosur për të gjitha transaksionet e nevojshme dhe shqiptarët do të furnizohen. Nuk mund të them shkëlqyer, por do të mund ta vazhdojnë veprimtarinë e tyre siç kanë vazhduar para shfaqjes së thellimit të kësaj krize”,- tha ai. Duke qenë i sigurt se kriza energjetike do të kalojë, kryeministri Berisha deklaroi se gjatë vizitës së zhvilluar në Romë, ai është takuar edhe me afaristë dhe biznesmenë italianë, të cilët i ka ftuar që të hapin bizneset e tyre në Shqipëri. “U takova me shumë afaristë dhe biznesmenë italianë, tek të cilët gjeta një vullnet të madh për të ardhur për të investuar në Shqipëri në të gjitha fushat, në agrobiznes, në turizëm, në energji dhe në fusha të tjera”,- tha ai. Në fakt, përballimi i krizës energjetike duket se ka qenë objekti kryesor i takimeve që Berisha zhvilloi në Romë, pa përjashtuar faktin se i një rëndësie të veçantë ishte edhe takimi me papa Bendektin e 16-të. Ashtu siç u shpreh dhe më sipër, kryeministri Sali Berisha do të zhvillojë sot një mbledhje të Këshillit të Ministrave, posaçërisht për energjinë, për të bërë publike edhe hapat që do të ndërmerren me qëllim furrnizimin e vendit me energji elektrike. Po dje, menjëherë pas mbërritjes në Tiranë, Berisha mblodhi Këshillin e Ministrave për të miratuar dy vendimet e rëndësishme që lidheshin pikërisht me privatizimin e hidrocentraleve vendore, që mundësojnë lidhjen e kontratave nga KESH-i me hidrocentralet vendore për blerjen e energjisë elektrike, si dhe miratimin e një ligji për të lejuar KESH-in të marrë pjesë në ankandet e blerjes së kapaciteteve transmetuese dhe të energjisë elektrike.

Prof. Alfred Paloka

“Situata energjetike në të cilën jemi mund të kapërcehet dhe nuk mendoj se ka vend për kaos. Kjo situatë nuk ka nevojë për shfaqje me qiri, por për iniciativa si kjo e LSI-së për të dëgjuar specialistët. Sipas statistikave, java e tretë e muajit nëntor është java kur fillojnë rregullisht reshjet e vazhdueshme të shiut. Niveli në të cilin është katandisur Fierza duhet të shërohet në afatin kohor më të shkurtër, si dhe nuk duhet harruar sigurimi i sasive të importit. Të mos harrojmë se fqinjët tonë në Ballkan kanë rezerva të konsiderueshme energjie, të cilat i paraprijnë krizave energjetike si kjo që po kalojmë ne sot. Pra, duhet të punohet dhe të shmangen rrjedhjet e energjisë elektrike nga hidrocentralet dhe të gjitha burimet e saj. Ndërsa sa i përket importit të energjisë, nuk duhet të jetë vetëm detyrë e KESH-it, por edhe e ambasadave dhe i të tëra institucioneve shtetërore që të kemi një qëndrim reciprok në situatë të vështira”.



Inxh. Jani Zisa,

“Për t’u kaluar kjo krizë duhet të gjendet importi dhe duke qenë se ka filluar viti hidrologjik që më 1 nëntor, ndoshta do të jemi me fat për ta kaluar këtë krizë. Unë nuk mendoj se direkt pas kësaj konference do të kalohet kriza energjike, jam i bindur që edhe në institucionin e KESH-it ka njerëz që po punojnë dhe po i diskutojnë të gjitha këto që ne po diskutojmë këtu. Iniciativa e zotit Meta duhet vlerësuar dhe ajo që unë mendoj është se këtu ndodhet një pjesë e mirë e atij personeli që ka qenë i pranishëm kur janë ndërtuar TEC-et dhe HEC-et. Ekspertët e energjetikës dhe punonjësit e KESH-it, sot duhet të jenë në gatishmëri më shumë se kurrë.


Pajtim Bello

“Sistemi ynë energjetik është i amortizuar dhe nëse nuk punohet për të projektuar një program emergjent, asnjëherë nuk do t’i shmangemi këtyre krizave. Nëse flasim për burime, duhet të fillojnë të ndërtohen hidrocentalet e vegjël dhe programimi i importimit te caktuar përpara situatave të tilla, në mënyrë që të shmanget pa u ndjerë ashtu siç po e ndjemë. Dhe ajo që dua unë të theksoj, është që KESH-it nuk duhet të ketë autonomi, por pavarësi të plotë, me qëllim që të menaxhojë vetë importin dhe exportin”.

Xhevahir Ngjeçari,
“Shqipëria ka tri zi apo kriza të përhershme. Është zia e energjisë, zia e ujit të pijshëm dhe zia e infrastukturës. Një pallat 11- katësh në Tiranë kushton 3 milionë dollarë, po me kaq shpenzime ne mund të sigurojmë shumë investime për të tërë Skraparin. Ajo që është e rëndësishme duhet që biznesi të futet në ifrastrukturën e energjisë elektrike. Me strategji unë kuptoj që, meqë ka 10 lumenj Shqipëria, nuk është aq shumë problem që të gjendet një zgjidhje. Sikur të kishte vullnet politik që zgjidhja të bëhej realitet, nuk do te kishim këto probleme që kemi tani.

Rahman Hanku

Prof. Rahman Hanku, ish-ministër i Ndërtimit dhe Energjetikës, ngriti çështjen e nënshkrimit të marrëveshjeve për shfrytëzimin e përbashkët të ujërave me vendet fqinje. Prof. Hanku nënvizoi se vendet fqinje të Shqipërisë herë pas here në kundërshtim me Konventat Ndërkombëtare, ndërhyjnë në mënyrë të njëanshme mbi prurjet e lumenjve tanë, si të Drinit dhe të Vjosës. Ndaj marrëveshjet e përbashkëta për këtë qëllim duhet të respektohen nga palët.

Robert Lalo
Një ndër ish-drejtuesit për disa vite të investimeve në KESH, inxh. Robert Lalo, u shpreh se është shumë e rëndësishme ulja e humbjeve të energjisë elektrike, si të atyre teknike, ashtu edhe të atyre joteknike, ose abuzimi me energjinë elektrike. Gjithashtu Lalo u ndal në nevojën e një legjislacioni favorizues të investimeve në fushën e prodhimit të energjisë elektrike, veçanërisht nevojës së një ligji për ndërtimin me koncesion të hidrocentraleve të vegjël lokalë.

Ramadan Hamzaraj

Inxh. Ramadan Hamzaraj e vuri theksin te displina që duhet të ndiqet për remontet e mëdha që kryhen në veprat hidroenergjetike. Duhet të ketë një kalendar të përcaktuar qartë për remontet e mëdha, që të mos bëhen sipas qejfti dhe dëshirës së drejtuesve të KESH-it, por atëherë kur të jetë e nevojshme dhe e domosdoshme. Vendosja e matësave të energjisë elektrike duke plotësuar të gjithë me këto matësa në mënyrë urgjente, është një tjetër masë shumë e rëndësishme e propozuar nga inxh. Hamzaraj.
nga N.Perndoj, Shekulli
Shtuar më 11/11/2005, ora 14:38
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori