A u pushuan tre kompozitorët e njohur nga puna? Kreu i RTSH-së pretendon të kundërtën
Lajmi për shkarkimin nga puna të tre kompozitorëve të njohur Alfred Kaçinari, Shpëtim Saraçi dhe Edmond Zhulali nga RTSH ka krijuar një furtunë në media dhe rrjetet sociale. I pyetur se çfarë ka ndodhur me kompozitorët, kreu i RTSH-së Thoma Gëllçi tha se nuk bëhet fjalë për pushim nga puna por ndryshime të departamentit në kuadër te ristrukturimit të këtij institucioni.

“Ne po punojmë për ta ndryshuar këtë përqindje, duke e kthyer atë në favor të krijimtarisë, në një raport 80% me 20%”, tha ai. Sa i takon çështjes së tre kompozitorëve, Gëllçi u shpreh se “Departamenti në fjalë paraqiste një handikap, pasi ai përgjigjej vetëm për krijimtarinë muzikore, në një kohë që Radio Tirana nuk është përgjegjëse për krijimtarinë muzikore në vend, shkruan Panorama.

Kështu që, në kuadrin e reformimit të institucionit, ky departament nuk do të ekzistojë më, por do të doja të qartësoja se askush nuk është pushuar nga puna. Tre kompozitorëve të mirënjohur u është propozuar një pozicion i ri në strukturën e re. Siç tashmë dihet, RTSH nuk do të ketë vetëm një kanal, por 7 kanale tematike, ku kompozitorët do të mund të gjejnë veten. Konkretisht, Shpëtim Saraçit i kemi propozuar drejtimin e kanalit të muzikës. Edhe dy kompozitorëve të tjerë u janë ofruar pozicione të reja”, u shpreh Thoma Gëllçi.

DENONCIMI I PARTISË DEMOKRATIKE

Departamenti i Kulturës pranë Partisë Demokratike ishte i pari që dha lajmin për “pushimin” nga puna të tre kompozitorëve.

“Në valën e shkatërrimit të Radiotelevizionit Shqiptar, tre kompozitorët e shquar Shpëtim Saraçi, Edmond Zhulali dhe Alfred Kaçinari, të cilët kanë bërë histori në krijimtarinë tonë, pa asnjë lajmërim, në kundërshtim të hapur me ligjin, si dhe në shkelje flagrante të integritetit të tyre profesional, pushohen nga puna pa asnjë mundësi reagimi apo alternativë për të vazhduar kontributin e tyre artistik”, shprehet përmes një deklarate për shtyp drejtuesi i Departamentit të Kulturës pranë PD, Arben Skënderi.

Sipas tij, “drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar, Gëllçi, shkatërron kështu gjithçka që është ndërtuar me aq mund, duke shkrirë totalisht redaksinë e muzikës, e vetmja strukturë tejet e nevojshme për institucionin që mund të përballonte denjësisht kërkesat e produksioneve, si dhe e vetmja strukturë artistike që ende vazhdonte të mbikëqyrte kualitetin e krijimtarisë”.

Duke e denoncuar këtë akt si një cenim të punës së institucionit, por edhe të figurës së artistëve, Skënderi vijoi më tej se: “Kjo është një padrejtësi me të cilën komuniteti i artistëve dhe opinion publik nuk mund të pajtohen. Kjo është një arsye më shumë për të rezistuar përballë klikës që ka zaptuar çdo pushtet, dhe një motiv për këdo që mbron vlerat, të bashkohet me protestën e madhe të 18 shkurtit”./albeu.com/
Shtuar më 03/02/2017, ora 09:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori