Drejtësia/ Rama: Struktura që kemi nuk funksionon, të ndërtojmë të renë
Nga Kongresi i PBDNJ-së, ku u prezantua programi politik i kësaj partie, kryeministri Rama tha se çështja e pronave zgjidhet vetëm duke shembur sistemin e vjetër të drejtësisë, e duke ndërtuar një të ri.

“Historia e pronave është një nga historitë më të pabesueshme për një shtet që është në mes të Evropës dhe ka një sistem demokratik.

Do ju jap një shembull. I ka dalë pronari teatrit antik të Butrintit. Njësoj si t’i dalë pronari Akropolit në Athinë dhe qeveria të mos ketë të drejtën për t’i hapur dyert e Akropolit miliona njerëzve.

Edhe Butrinti është më i vizituari nga të huajt që vijnë në Shqipëri. Është një familje që ka letra dhe pretendon se është më antike sesa vetë antikiteti.

Nuk ke çfarë thua më për batërdinë e pronave në Shqipëri. Rasti kur shfaqen pronarë të cilët nuk kanë prova për ekzistencën e trungut të familjes së tyre në zonat e bregdetit dhe kthehen papritur në zotërues të shumë hektarëve, tregon mungesën e një sistemi të duhur drejtësie”, tha Rama.

Kreu i qeverisë dha edhe rrugën nëpërmjet së cilës bëhet Reforma në Drejtësi.

“Nëse duam në vend një pushtet gjyqësor real, që të japë drejtësi pa parë sa i gjatë je në strukturën sociale dhe se sa para ke, duhet që të gjithë prokurorët e gjykatësit e këtij vendi t’i kalojmë në skanerin e një radiografie etike dhe profesionale.

Struktura që kemi nuk funksionon, është tërësisht e kapur dhe e korruptuar. Mund ta shembim të vjetrën e të ndërtojmë të renë.

Propozimi ynë është ky, trupa e cila do të gjykojë gjykatës e prokurorë, duhet ta bëjmë të mundur në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me operacionin ndërkombëtar, me një mekanizëm të ngritur nga BE-ja dhe SHBA-ja”. /albeu.com/

Shtuar më 02/07/2016, ora 11:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori