Drejt pushtetit edhe me hajni
Albeu.com
Edhe pas 15 vjet pluralizmi politik, partitë politike shqiptare në Maqedoni në vazhdimësi akuzojnë njëra-tjetrën për vjedhje të votave.nga QASHIF BAKIU, Lajm
Pushteti dhe opozita janë me qëndrime të kundërta rreth sanksionimit të shkelësve të procesit zgjedhore. Përderisa Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) kërkojnë sanksionim për partinë politike që do të nxis keqpërdorimet me votën e qytetarit, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh qëndrimin se një gjë e tillë do ta dëmtonte procesin zgjedhor. Opozita ka vlerësuar se Kodi zgjedhor nuk ofron mekanizma për mbrojtjen e votës së lirë.
Nga “selia blu” thonë se dallimi ndërmjet keqpërdoruesit si qytetar apo si subjekt politik është shumë i vogël, pasi që qytetarët që bëjnë parregullsi janë “militantët partiak”. Në raste të këtilla, sipas zëdhënëses së BDI-së, Ermira Mehmeti, sanksionimi i partive politike është i pamundur pasi që partitë politike ndajnë të njëjtën kulturë politike. “Nëse bëhen përjashtime të partive politike, atëherë procesi do të vij në një pozitë të vështirë. Qëllimi i Kodit zgjedhor është që të mënjanohen hapësirat për keqpërdorime”, tha Mehmeti për “Lajm”.
Në anën tjetër deputeti i PDSH-së, Xhevdet Nasufi, vlerëson se në propozimet për Kodin Zgjedhor nuk janë siguruar mekanizma mbrojtës për votën e lirë. Sipas tij, mungojnë mekanizmat për numërimin e votave dhe për verifikimin e saktësisë së listës zgjedhore. Nasufi potencon se kjo gjë lejon hapësirë për manipulime. “Sanksionet duhet të godasin personalitetet dhe partitë politike e jo qytetarin. Sanksionimi i qytetarit aplikohen vetëm në vendet e pazhvilluara dhe jo në vendet e zhvilluara të BE-së ku pretendojmë të integrohemi ne”, tha Nasufi.
Në PPD vlerësojnë se zgjedhjet e rregullta dhe mbrojtja e votës së lirë nuk mund të bazohen vetëm në Kodin Zgjedhor, pasi që ekzistojnë edhe shumë faktorë tjerë.
“Qytetari ka më pak faj se të gjithë në keqpërdorimet gjatë zgjedhjeve. Sanksionet duhet të orientohen drejtë atyre që manipulojnë me qytetarët dhe votën e tyre. Pra, përgjegjësia kryesore duhet të bie mbi lidershipin e partive politike”, tha nënkryetari i PPD-së Ismet Ramadani.
Ndërkaq në asociacionin qytetar “Most” nuk janë të kënaqur me propozimet e dhëna për Kodin Zgjedhor. Nga ky asociacion që tanimë disa vite me radhë merret drejtpërdrejtë me procesin zgjedhor në vend, kërkojnë që sanksionimi të prek edhe subjektet politike për të cilat do të vërtetohej se kanë fituar mandat me keqpërdorime.
“Qëndrimi ynë është se sanksionet duhej që të rriten. Mund të them se është bërë një hap para në këtë drejtim, mirëpo “Most” është angazhuar që të mendohet për mosverifikimin e mandatit të partisë politike për të cilën do të vërtetohet se mandatet i ka fituar në mënyrë joligjore”, deklaroi Sllavica Biljarska, zëdhënës e “Most”-it.
Ajo thotë se përgjegjësia për parregullsitë duhet të bie mbi ata që i bëjnë por edhe mbi ata që i porosisin vjedhjet e votave.
Shtuar më 28/03/2006, ora 19:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori