Drama rreth Titos, i merrë kokën Ministrit të Kulturës së Maqedonisë
Albeu.com
Ministri i Kulturës së Maqedonisë, Ilirian Beqiri, kërkoi sot dorëheqjen, duke theksuar se nuk i vjen keq për këtë akt, që ai e ndërmerr për shkak të "përmasave luftarake të politikës së ndezur të natyrës konjukturale".Në arsyetimin e kësaj kërkese, që Ministria e Kulturës u ka dërguar mediave, thuhet se Beqiri ngul këmbë në kërkesën për dorëheqje, duke vërejtur se mbetet "përfaqësues i dëshmuar dhe konsekuent i vlerave demokratike dhe kundërshtar i pamëshirshëm i shfaqjeve të komunizmit”.
“Ajo që më bën të ndjehem i denjë është fakti se në vetëdijen time funksionojnë dhe janë të pranishme vetëm ato vlera që ngrenë lart dhe nxisin kulturën, çështjen e përgjithshme shqiptare si dhe çështjet e tërë shoqërisë sonë. Në kohën e sotme kur synojmë të ecim drejt vizioneve të reja dhe të qarta, shfaqjet e periudhës së komunizmit, që është në perëndim e sipër, mbeten relike, sa të mjera, aq edhe të sëmura”, thotë Beqiri në kërkesën për dorëheqje, ku shton se nuk ka “kurrfarë keqardhje" për këtë veprim.
Dorëheqja e ministrit të Kulturës u paralajmërua që dje, nga zëdhënësi i Qeverisë, Ivo Bocevski dhe pritet që sot kjo kërkesë të miratohet nga Kryeministri Nikolla Gruevski.
Javën e kaluar, një urdhër i nënshkruar nga Ministri Beqiri, që u drejtohej të gjitha institucioneve, ndalonte shfaqjen e dramës “Tito- diagrame të sigurta të shpresës”, premiera e së cilës ishte caktuar për më 31 mars. Kjo ndalesë u tërhoq po atë mbrëmje, po për shkak të urdhërit të nënshkruar nga Ministri Beqiri, të interesuarit kërkuan të mbahet qëndrim. Megjithatë, sipas mediave, "Beqiri nuk është fajtori i vetëm" në këtë çështje.
Shtuar më 02/04/2007, ora 16:36
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori