Drama e familjes shqiptare
Eva Kushova

Ai është baba i dy fëmijëve. I qetë, i vuajtur. Jetim që i vogël. Nëna i vdiq pasi e lindi. Nuk e njohu kurrë. Babai u martua sërish. Gjithsesi e rriti gjyshja dhe kujdesi nuk i mungoi.

Fati e deshi të krijonte një familje të mrekullueshme me dy fëmijë, një vajzë 9 vjeç dhe djali 5. Jetuan ca vite në emigrim, por u kthyen pak kohë me parë, blenë një shtëpi dhe vendosën të jetonin në Tiranë.

Fundja të gjithë ata që kanë emigruar për kaq kanë punuar. Mjaft të blesh një shtëpi me paratë e emigrimit, se këtu në atdheun tënd një copë bukë do e sigurosh. Por s’qenka e thënë. Erdhi dita që sot në vendin tënd të diskutohet ushqimi. Nuk ka trishtim më të madh për një kryefamiljar sesa të mos u sigurojë dot bukën fëmijëve.

Ndërrova dy tre punë- thotë. Së fundi punoja në një supermarket, sistemoja mallrat në magazinë. Isha mirë, edhe pse me rrogë të vogël. Por më hoqën para një muaji. Po pse -e pyeta. Po kot.

U nxeh pronari për fitimet e vogla, dhe i hoqi të gjithë, edhe mua që isha në rregull. Siç duket e kuptoi që gaboi, dhe më rimori në telefon pas një jave. Por e dini ç’më tha? Do vish, por me rrogë më të vogël. Si ka mundësi? Ku e kanë bërë shkollën keta gjakpirës? Si mund të trajtosh një kryefamiljar kaq pa zemër?

I thashë jo, për të treguar që kam dinjitet. Por tani jam penduar, se gjithsesi isha në punë. Bashkë me gruan na bëheshin rreth 45 mijë lekë në muaj, dhe ia dilnim, edhe pse dritat, uji, kopshti i djalit, vajza me librat e fletoret, pagesa për pastrimin e shkallës etj etj na kushtonin. Por tani vetëm me 20 mijë lekë në muaj, pagën e gruas, çfare do bëjmë? Vetëm të blesh një thes miell dhe të hash bukë thatë. Kaq.

Si ka mundësi që uji ka shkuar 2 mijë lekë në muaj? Në Itali ujin e paguaja vetëm 7 euro. Po Italia është në BE dhe rrogat janë të larta. Oh zot! Ç'krahasim bej dhe unë. Gjithsesi po kërkoj çdo ditë për punë. Njoftimet që dalin nëpër portalet e punësimit jane kot, ti aplikon në dhjetra vende e askush s’të kthen përgjigje. Se di sa do mbijetojmë kështu. E vetmja mënyrë është të iki prapë në emigrim, por vetëm si punëtor sezonal, familjen s’mund ta lëviz prapë. Vajza është shkëlqyer në mësime, s'mund ta largoj. S’di – thotë dhe rrotullon sytë në zbrazëtirë. Sy pa shpresë. Pa shpresë si shumica e atyre që marrin rrugët.

Kjo është drama e një familjeje shqiptare, në zemër të Tiranës. E një familjeje me arsim të mesëm. Të gjitha zgjidhjet ky baba i kërkon nga vetja. Nuk i hedh sytë fare nga shteti. Nuk ka kohë të merret me politikë dhe as të kërkojë gjë prej qeverisë.

Po a është detyrë e qeverisë që zgjedhim, që të kujdeset për shtetasin e saj? A duhet të kujdeset që njeriu të mos e humbasë punën kot? A duhet të kujdeset që pronarët të mos sillen kështu me të punësuarin e tyre? A duhet të kujdeset që familjet të kenë asistencë në kushte të tilla? A duhet të kujdeset që ti sigurojë një vend të ri pune? Një familjar që paguan çdo taksë brenda ujit dhe dritave, çfarë duhet të marrë nga shteti në këmbim?

E kujt i duhen fasadat, godinat, stadiumet, parqet mijera dollareshe, kur familjet shqiptare përballen me krizën e ushqimit? Kujt i duhen udhëtimet miliona dollarëshe me eskorta e familjarë jashtë shtetit të zyrtarëve tanë, për të dhënë mend në politikën e jashtme? Se ndonjë investim këtu nuk po sjellin. Ekonomia është përtokë, çmimet e larta, dhe papunësia vetëm shtohet.

Çfarë duhet të bëjë shtetasi shqiptar në kushte të tilla? Mos duhet t'i drejtohet krimit, vjedhjes, drogës? Cila është zgjidhja që familje të mos vuajë për bukë? Se njeriu një jetë ka, e nuk shtyhet me një thes miell. Ju që flisni tërë ditën në televizione se ky vend është bërë më i mirë, se ka vende pune plot, por nuk ka profesionistë, ju që akuzoni njëri tjetrin të kujt janë kriminelët, juve që ju kemi dhënë votën dhe ju kemi besuar qeverisjen, a e keni të qartë cila është detyra juaj kryesore? Detyra juaj është të kujdeseni për shtetasin tuaj, që të mos marrë rrugët për të siguruar një copë bukë. Nëse nuk e keni kuptuar këtë detyrë primare, mallkuar qofshi! /Albeu.com/
Shtuar më 18/05/2016, ora 15:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori