DOSSIER/ Si u kap xhandari duke përdhunuar partizanen tek Rr.Kavajes
Pëlqej
Të vlerësosh kontributet njerëzore për këdo që ka sakrifikuar për lirinë, pavarësinë dhe aspiratat demokratike është detyrim i shtetit, pavarësisht se kush është në pushtet, e majta, apo e djathta.

Por gjatë këtyre 25 viteve, krahas personaliteteve të lëna në harresë nga diktatura komuniste për arsye subjektiviste, është konstatuar jo në pak raste se janë vlerësuar edhe kolaboracionistë, në emër të antikomunizmit të tyre.

Faktet nuk mungojnë. Por unë po paraqes sot një rast tepër sinjifikativ, i cili meriton të mos anashkalohet. Konkretisht. Gjatë fillimit të rezistencës antifashiste në Vlorë, një nga pionierët e saj ishte edhe Qani Shenaj, nga Gjormi. Në kohën e fraksionit, Qaniu rreshtohet në krahun e atyre që u vunë pas Sadik Premtes.

Kur rruga e Sadik Premtes mori tatëpjetën, nën hyqmin e tij mbetën vetëm një grusht njerëzish që s’dilnin dot më nga vatha ku ishin futur. Pas vrasjes aksidentale të Neki Imerit, ish komandantit të çetës Plakë të Vlorës dhe Xhafer Dalanit, ky grupim u rreshtua në krahun e bashkëpunëtorëve të pushtuesve.

Qani Shenaj, si më aktivi dhe më i paskrupullti e gjeti më të udhës, që me okupimin gjerman të ishte pjesë përbërëse e xhandarmërisë kuislinge të Tiranës.

Po kush ishte veprimtaria e tij në këtë strukturë shtypëse dhe gjakatare? Për këtë gjë le t’i referohemi Xhelal Staraveckës, ish komandant partizan e më pas, komandantit të xhandarmërisë së Tiranës.

Rrëfimi i Staraveckës

Në librin e tij,”Përpara gjyqit të historisë”, Xhelal Staravecka shkruan edhe një episod rrënqethës, të cilin e ka titulluar” Xharxhanezi e pagoi me kokën e vet”.

“Ndër ata të rinj që m’u prezantuan, qe edhe një partizan i dëgjuar për atentatin kundër Veip Runës, i ndarë edhe ai nga Partia, një farë Qani Gjormi (Shenaj), në mos gabohem i mbiemëruar (pseudonuar) “Xharxhanezi”. Unë mendova si për të gjithë të tjerët edhe për atë, se ishte ndarë nga Partia për politikë dhe jo se donte të arrinte atë qëllim që nuk pati mundur ta realizonte kur ishte partizan.

Tiranën unë e kisha ndarë në gjashtë zona dhe në krye të çdo zone kisha vënë një oficer, toger ose nëntoger. Xharxhanezi një ditë shkon në zonën e Tabakut, pasi në atë mëhallë banonte Z.J, ish partizane e çetë së Pezës, që për arsye shëndetësore ishte kthyer në shtëpinë e vet dhe i thotë komandantit të zonës t’i jepte një fuqi për arrestimin e një partizaneje shumë të rrezikshme. Komandanti i zonës, sipas urdhrit tim, çdo arrestim që të bënte, me një proces-verbal apo raport, duhej të shoqëronte të arrestuarin, po të ishte grua në shtëpinë e Emil Misturës në rrugën e Kavajës, që e kisha kthyer burg për gratë e arrrestuara politikisht, ndërsa për burrat ishin burgje të tjerë.

Në mbrëmje Xharxhanezi shkoi te komandanti i zonës dhe i thotë që t’ia dorëzonte Z.J, pa e shoqëruar me persona të tjerë, duke i thënë se ishte një nga më të besuarit e mi.

Përpara kësaj pune të ndërlikuar, komandanti i zonës më mori në telefon e më kallëzoi çështjen duke më kërkuar autorizimin tim mbi dorëzimin e të arrestuarës në duart e Xharxhanezit. Ajo bisedë më irritoi shumë. Xharxhanezi, kur pa se komandanti i zonës nuk ja dorëzoi Z.J, afër mesit të natës erdhi dhe më takoi te Hotel “Dajti”, ku banoja dhe më bëri të njëjtin propozim pasi, sipas tij, kishte për të zbuluar diçka me shumë rëndësi. “Nëse ti mendon, i thashë, të peshkosh në ujërat e turbullta të kohës ku jetojmë, do bësh mirë që nesër të lësh Tiranën, nëse nuk dëshiron të paguash me jetën tënde inisiativën e fëlliqur që i je përveshur ta realizosh”. Xharxhanezi iku nga unë i dëshpëruar, pa i bërë fjalët e mia as përshtypjen më të vogël.

Herë pas here, para se të shkoja për të fjetur, bëja ndonjë inspektim nëpër zona. Atë natë inspektova dy zona dhe nisa të kthehesha në hotel, kur diçka e pashpjegueshme më shtyu të inspektoja zonën e rrugës së Kavajës, ku komandant ishte Riza Bekteshi. Kur shkova në hyrjen e komandës, gjeta rojen që flinte. Hapa derën dhe u futa në zyrën e komandantit dhe ju drejtova portës së dhomës së fjetjes të toger Rizait, për ta qortuar mbi çështjen e rojes, që e gjeta në gjumë.

Mirëpo dëgjova një zë gruaje. Atëhere trokita. Pas pak porta u hap. Por ç’pashë? Xharxhanezin me brekë dhe në brez një revolver “Browning”. Xharxhanezi kur e pa që isha unë, menjëherë hodhi dorën në revolver, por dora e tij ra mbi dorën time, pasi unë me një dorë i kapa revolverin dhe me tjetrën revolverin tim ia kisha vënë në gjoks. E gjithë kjo skenë u zhvillua në pragun e derës dhe në pak sekonda. Kur e çarmatosa Xharxhanezin e detyrova të futej në dhomë për të parë se ç’ishte ai zë gruaje që kisha dëgjuar.

Kur hyra brenda, pashë Z.J. ashtu siç e kishte bërë e jëma. Me lotë në sy dhe në faqe më tha: “Kjo është atdhetarizma juaj, që të na arrestoni e të na përdhunoni?! Na çnderoni për të kënaqur epshet tuaja shtazore. Ngrini zërin kundër të tjerëve për imoralitet, kur ju jeni vet imoralë. Ngriheni si paladinë të nderit të gruas shqiptare, ndërsa nuk keni asnjë skrupull dhe përdorni çdo mjet për të na ç’nderuar”. I dëgjova vërejtjet e asaj vajze i asgjësuar nga ai krim në të cilën ajo ishte viktima.

E lashë Z.J të vishej dhe mora Xharxhanezin, pa e lënë të vishej, por i hodha një pelerinë mbi trup dhe ia dorëzova Qemalit, shoferit tim që priste te makina. Pastaj u ktheva te roja dhe e pyeta ku është toger Rizai? Roja në fillim hezitoi, por kur më pa të alarmuar, më kallëzoi se ndodhej në ndërtesën përballë nesh. U ngjita me shpejtësi në shkallët e ndërtesës dhe në katin e katërt trokita në derën e dhomës, që më tregoi roja, ku kishte ende dritë. E hapi derën togeri e kur më pa, e kuptoi se ç’rreziku i kishte hyrë. Togerin e arrestova me gjithë mikeshën e tij, një greke që punonte në kinema “Nacional” dhe i çova në komandën e zonës.

Në kohën kur i bëra bashkë, Xharxhanezin dhe togerin, mendova t’i vrisja, mirëpo më erdhi mendja e urtësisë, e cila më këshilloi të mos e bëja këtë akt. Vendosa t’i referohesha gjyqit ushtarak, prandaj pa humbur kohë kompozova proces-verbalin dhe në orën dy e dyzetë minuta pas mesnate shkova te kryeregjenti, Mehdi Frashëri, i cili më dëgjoi me vëmendje rreth ngjarjes. Ai kishte urrejtje të pakufishme për ekzekutimin, por tek e fundit nuk kundërshtoi, pasi do ishte më keq t’i nisja ata në atë botë pa gjyq.

Në mëngjesin e asaj dite, gjyqi ushtarak filloi punën dhe në orën 16.00 të po asaj dite, në mbarim të seancës, të akuzuarit i dënoi: Qani Shenajn me varje në litar dhe Riza Bekteshin me pushkatim, të cilët u ekzekutuan të nesërmen në mëngjes”.

Përshkrimi i kësaj ngjarjeje nga Xhelal Staravecka, rezulton se është tepër i saktë, pavarësisht se çfarë përfaqëson ky xhelat.

***

Është momenti për të theksuar se me rastin e 60 vjetorit të krijimit të Çetës Plakë të Vlorës, në dhjetor 2002, Presidenca dekoroi me Medaljen e Artë të Shqiponjës krahas Neki Imerit e Xhafer Dalanit edhe Qani Shenajn.

Nëse dy të parët e meritojnë plotësisht këtë dekoratë të lartë si antifashistë të vendosur dhe si viktima të frymës sektare të udhëheqjes komuniste të Qarkorit, rasti i Qani Shenajt është diametralisht i kundërt me ta. Ky njeri, pavarësisht se kishte bërë kthesën 180 gradëshe, nga ylli partizan te spaletat e xhandarmërisë kuislinge, përfundoi në litar nga gjykata fashiste jo si atdhetar, por si zullumqar.

Por si për ironi të fatit, me Vendimin Nr. 464 të Komisionit Shtetëror, datë 14.09.2011, Qani Brahim Shenaj i jepet statusi i “Dëshmorit të Atdheut”.

Edi Rama pati kurajon qytetare përpara ca kohësh që kërkoi falje publike për dekorimin e Shyqyri Çokut, po për Qani Shenajn, a duhet që të reagojnë ata që përgatitën dosjen dhe morën vendimin përkatës? /Dita/
Shtuar më 28/12/2017, ora 11:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori