Dosja "Trebicka", përfundojnë 9 ekspertiza
Pëlqej
Albeu.com
Raporti përfundimtar i Mjekësisë Ligjore, lidhur me vdekjen e Kosta Trebickës, dëshmitarit të trafikut të armëve nga Gërdeci, përfundon në Prokurorinë e Përgjithshme.Hetuesit e çështjes, për herë të parë kanë pasur të gjitha dokumentet e autopsisë në tryezën e punës dhe për disa orë me radhë kanë diskutuar të gjithë së bashku për plagët e viktimës. Burime nga akuza qendrore deklarojnë se në raportin e Mjekësisë Ligjore përcaktohet se vdekja e Kosta Trebickës ka ardhur për shkak të politraumës, karakteristikë kjo për aksidentet automobilistike. Hetuesit thonë gjithashtu se kanë mbërritur nëntë ekspertiza. Ata deklarojnë se mjekët kanë konstatuar se nga ekspertiza mjeko-ligjore, pas analizave paraprake mjekoligjore e veçorive të dëmtimeve të jashtme dhe atyre të brendshme të konstatuara, shkaku i vdekjes së viktimës ka qenë politrauma e shoqëruar me kontuzion (shembje) të kokës dhe të gjoksit, me dëmtime të organeve përkatëse, sipas mekanizmit goditje-përplasje, karakteristikë e traumave automobilistike. Burimet nga akuza pohojnë se është bërë edhe ekspertimi i armës së gjahut, ku nuk janë vërejtur gjurmë të tjera, përveç të Kosta Trebickës. Në raportin e Mjekësisë Ligjore është përcaktuar se nga ekspertimi tekniko-kimik, nuk ka pasur prezencë të faktorëve të tjerë në rrobat e viktimës, ndërsa bidonët që janë gjetur pranë viktimës kanë pasur gjurmë të viktimës dhe disa gjurmë të tjera, të cilat ende nuk janë identifikuar. Hetuesit dyshojnë se këto gjurmë mund të jenë të shitësit. Gjithsesi, në raport është detajuar edhe ekspertimi biologjik për pjesët e flokut të marra nga koka e viktimës, si dhe nga qimet e gjetura në rrobat e viktimës dhe ato të qenit të gjahut. Mjekët e Mjekësisë Ligjore përcaktojnë se është bërë edhe ekspertimi i organeve të viktimës gjatë autopsisë dhe ekspertimi i gjakut, për të përcaktuar masën e gjakut.

Disa ditë më parë, Mjekësia Ligjore deklaroi se me kërkesën e Drejtorisë së Policisë Kriminale, me datën 12 shtator 2008 në orën 14:30, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore është dërguar një grup ekspertësh mjekoligjorë, në përbërje të grupit hetimor për të marrë pjesë në fazën e parë të hetimit, në ngjarjen në lidhje me vdekjen e shtetasit Kosta Trebicka. "Në vendin e ngjarjes, në përbërje të grupit hetimor, morën pjesë dy ekspertë mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, nga të cilët janë kryer veprimet mjekoligjore të vendit të ngjarjes, pozicioni i viktimës, këqyrja e jashtme e viktimës dhe fiksimi e marrja e provave nga vendi i ngjarjes", thuhej në njoftimin e morgut. Sipas tij, faza e dytë e ekzaminimit të kufomës së shtetasit Kosta Trebicka, autopsia, u krye në morgun e spitalit rajonal të Korçës nga ora 22:00 të datës 12 shtator 2008, deri në 03:00 të datës 13 shtator 2008, me pjesëmarrjen e 4 ekspertëve mjekoligjorë, nga të cilët dy ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, eksperti mjekoligjor i Gjykatës së Apelit Korçë dhe eksperti mjekoligjor i rrethit Pogradec. Nga veprimet paraprake, rezultoi se kufoma i përkiste shtetasit Kosta Trebicka i moshës 50 vjeç. Nga grupi i ekspertëve janë dokumentuar, fotografuar të gjitha dëmtimet e konstatuara, si dhe janë marrë materialet e nevojshme për ekzaminime të mëtejshme laboratorike. Duket se i njëjti qëndrim (aksident) është mbajtur edhe në analizat dhe ekspertimet e mëvonshme që i janë bërë viktimës dhe vendit të ngjarjes. (Shqip)
Shtuar më 26/09/2008, ora 16:01
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori