Dosja e Habilajve? Detajet nga grabitja e postës sekrete të prokurorisë
Ditën e djeshme u grabit posta sekrete e Prokurorisë së Durrësit.

Dy persona ende të paidentifikuar sulmuan korrierin e Prokurorisë para se të dorë- zonte pranë këtij institucioni materialet që kishte tërhequr nga posta.

Ai po lëvizte në këmbë nga posta qendrore, që ndodhet në qendër të qytetit drejt Prokurorisë së Durrësit në kohën kur është sulmuar.

Sipas dëshmisë së tij, sapo ka dalë nga posta është përballur me dy djem të rinj që mbanin kapele dhe syze, të cilët i kanë marrë me forcë çantën ku ndodheshin materialet, shkruan Panorama.

Më pas ata janë larguar me shpejtësi në këmbë, duke humbur gjurmë rrugicave.

“Isha duke ecur në këmbë pasi mora në dorëzim letrat që kishin ardhur në adresë të Prokurisë, ku unë punoj prej kohësh.

Duke qenë zonë e banuar dhe në mes të ditës, nuk e mendova se do më ndodhte një gje e tillë.

Ndodhi çdo gjë në një kohë fare të shkurtër, sa nuk arrita dot tua fiksoj fytyrën.

Më morën çantën që mbaja në krahë dhe ikën menjëherë, humba ekulibrin ndërkohë.

Mbaj mend vetëm që në kokë kishin kapele dhe ishin të rinj, nga mënyra që e kryen veprimin. Unë nuk kam dijeni mbi përmbajtjen e dekumentacionit, thjesht i marr nga posta dhe i coj në Prokurori", -mësohet të kete thënë I.K. me detyrë korrier pranë Prokurorisë së Durrësit.

Nuk dihet se çfarë konkretisht kishte në çantën e postierit, pasi edhe vetë Prokuroria ishte hermetike në dhënien e detajeve duke qenë se ishte i përfshirë vetë institucionalisht në këtë ngjarje.

Gjithsesi, nuk përjashtohet dyshimi se personat që vepruan në mes të ditës dhe në mes të qytetit, kanë qenë të interesuar për zhdukjen e ndonjë dokumenti a dosje.

Një ndër dosjet që pak muaj më parë i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Durrësit dhe mbetet ende në hetim dhe me shkëmbim informacioni zyrtar nëpërmjet postës, është edhe ajo e Nezar Seitit, i cili u arrestua në Shqipëri për llogari të dosjes “Habilaj”.

Tashmë Prokuroria e Durrësit po heton në lidhje me procedurën e ndjekur për ekstradimin e tij në Itali, teksa ishte në hetim dhe i arrestuar për tjetër dosje penale në vendin tonë.

Burime të gazetës thanë se në praktikën zyrtare në prokuroritë e rretheve, posta sekrete përmban disa lloj dokumentesh të rëndësishme.

Përgjithësisht, materialet sekrete prokurorive u shkojnë me postë, si e vetmja mënyrë për t’u protokolluar zyrtarisht dhe mund të përmbajnë edhe dokumente të klasifikuara apo transkripte të përgjimeve që sjell Prokuroria e Përgjithshme.

Dyshohet që autorët kanë pasur informacion për ndonjë dokument të rëndësishëm, që po transportohej drejt Prokurorisë dhe për arsye e rrethana ende të paqarta ata nuk kanë lejuar që të përfundojnë në Prokurorinë e Durrësit.

Organi i Akuzës e konfirmoi dje grabitjen. Por sipas saj, nga përmbajtja e akteve të marra nuk cenohet hetimi për ndonjë nga çështjet dhe nuk ka pasur materiale të cilat klasifikohen si "sekret shtetëror|.

Gjatë dëshmisë së dhënë në Polici, punonjësi i Prokurorisë ka deponuar se nuk kishte dijeni se çfarë materialesh përmbanin zarfet e tërhequra në postë. /albeu.com/




Shtuar më 09/05/2018, ora 10:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori