Doshi: Të administrohen filmimet e aeroportit të Hanoverit
Tom Doshi ka bërë me dije në Facebook se sot i ka drejtuar një letër Prokurorit të Krimeve të Rënda, Adnan Xholi, në të cilën i kërkon të marrë në administrim prova të reja në lidhje me çështjen e tij. Këtë herë, këto prova vijnë nga Gjermania. Në letrën drejtuar z. Xholi, ai thotë se burime të sigurta e kanë informuar që Spartak Braho, Kryetari i Komisionit të Sigurisë së Kuvendit dhe Nard Koka, kanë udhëtuar në datën 6 Mars për në Hanover të Gjermanisë për të takuar Fatjon Skënderin, të cilin Doshi e cilëson si “sekserin e krimit ndaj dy deputetëve të Kuvendit”.

Z. Adnan Xholi
Prokuroria e Krimeve të Rënda
TIRANE
Lënda: Kërkesë për administrim provash të reja nga Gjermania
I nderuar Z. Xholi,

Jam informuar nga burime të sigurta se Z. Spartak Braho, Kryetari i Komisionit të Sigurisë së Kuvendit dhe shtetasi Nard Koka, kanë udhëtuar në datën 6 Mars për në Hanover të Gjermanisë, për të takuar Fatjon Skenderin, sekserin e krimit ndaj dy deputetëve të Kuvendit, me qëllime të qarta për të fshehur të vërtetën dhe shtrembëruar drejtesinë.
Këta persona janë pritur në aeroportin e Hanoverit, mes orës 4 dhe 5 mbasdite, nga vellai (Landi) i Fatjon Skënderit, kanë hipur në makinë së bashku dhe janë larguar për në takim me Fatjon Skënderin.

Kërkoj të administrohen zyrtarisht si prova për hetimin filmimet e aeroportit të Hanoverit, të cilat mund të merren zyrtarisht prej autoriteteve të shtetit Gjerman. Këto filmime do të provojnë dhe njëherë përpjekjet e njerëzve të Ilir Metës për fshehjen dhe manipulimin e të vërtetës.

Kam bindjen e plotë se segmentet e shtetit janë perpjekur dhe vazhdojnë të përpiqen për të fshehur të vërtetën dhe shtrembëruar drejtësinë. Nuk janë pa vlerë dhe provat e bëra publike se Fatjon Skenderi ka hyrë dy herë në kufirin shqiptar në pikën kufitare të Kakavijës, në kohën kur ishte i kërkuar nga policia për akuza kriminale të rënda.

Përsëris edhe njëherë me këtë rast kërkesën time për pjesëmarrjen e hetuesve ndërkombëtar në këto hetime, në mënyrë që hetimet të përshpejtohen dhe të plotësohen edhe me provat që duhen marrë nga Gjermania, Zvicra apo Italia.

Ju falenderoj për mirëkuptimin.
TOM DOSHI", përfundon reagimi në Facebook. /albeu.com/
Shtuar më 17/03/2015, ora 16:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori