Dorëzimi i armëve, Shefi i Rendit: Se mos na vini me kallash në komisariat!
Shefi i sektorit të rendit publik, Albert Dervishaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24” sqaroi sot fushatën e dorëzimit vullnetar të armëve. Dervishaj tha se arma nuk duhet të mbahet në banesë sepse përbën rrezik për familjarët, sidomos fëmijët. Ai gjithashtu tha se ka besim se përqindjet e dorëzimit të armëve do të vijnë duke u rritur. Sipas tij “amnistia afatshkrutër është më rezultative”.

“Do të jetë më rezultativ në dorëzimin e armëve ky proces i shkurtër. Nuk do t’i mbajë njerëzit të thonë hë se kam kohë, por t’i dorëzojnë direkt. Prandaj kjo fushatë ka periudhë të shkurtër kohore. Se mbase në fund të amnistisë ai ndërron mendje dhe nuk e dorëzon,” tha Dervishaj.

Si t’i dorëzoni armët

“Nuk duhet të dalin me armë në dorë dhe të vijnë në komisariat të dorëzojnë armën, se ka ndodhur edhe kështu. Është menduar të bëhet ndryshe për të shmangur ndonjë problematikë në rrugë e sipër. Në fillim njoftohet tek struktura e policisë, e merr në telefon, ose me email. Polici mban shënim adresën dhe brenda 24 orëve shkon punonjësi i policisë duke hartuar një procesverbal dorëzimi, dhe prej andej detyrimi i qytetarit mbaron, duke mos e sorrollatur dhe atë” – tha Dervishaj.

Ndëshkime me burg nëse nuk dorëzohet arma pa leje

Dervishaj u shpreh optimist se qytetarët do t’i dorëzojnë armët. “Me përfundimin e afatit të amnistisë që është 30 prill, policia do të zbatojë ligjin dhe do të ketë penalitete të ashpra si dënime me burgim nga 5-15 burg heqje lirie për armëmbajtje pa leje,” sqaroi shefi i sektorit të rendit publik. /News 24/
Shtuar më 23/01/2017, ora 17:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori