Doris Pack: Turp për Shqipërinë, nëse do të jetoja këtu do kisha frikë për fëmijët e mi!
Pëlqej
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
Ditën e sotme Doris Pack nga qyteti i Kukësit ka folur mbi Shqipërinë ku nuk ka kursyer deklaratat e forta ndaj gjendjes aktuale kriminale në Shqipëri.

Pas takimit e me kryetarin e bashkisë, Bashkim Shehu, i cili i akordoi Pack Medaljen e Mirënjohjes për mbështetjen e Shqipërisë në proceset integruese, ish-deputetja e BE theksoi se nëse do jetonte në vendin tonë, do kishte frikë se ku po i rriste fëmijët e saj.

“Jam e zhgënjyer që Shqipëria ndodhet në këtë situatë, pas marrjes së statusit të vendit kandidat në sajë të reformave të qeverisë së mëparshme. Nuk arrij ta mendoj se në Parlament keni deputetë, të cilët janë gjykuar për vepra kriminale nga gjykatat europiane.

Prezenca në parlament e krimineleve nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër. Asnjë parti nuk duhet të lejojë kandidatë të tillë. Imagjino pak që shqiptarët të votojnë për njerëz të tillë. Kjo duhet të ndalet. Sistemi gjyqësor sot nuk është i pavarur."

Presidentja e Forumit të Grave të Partive Popullore Europiane, eurodeputeja Doris Pack deklaroi nga Kukësi se Shqipëria duhet të reagojë për kriminalizimin e pushteteve dhe gjendjen e mjeruar ku ndodhet më shumë se gjysma e popullsisë.

"I gjithë vendi është mbjellë me kanabis, ky është një turp ! Edhe vetë prindërit duhet të jenë të shqetësuar për rritjen e fëmijëve të tyre në këtë situatë. Nuk ia vë fajin, njerëzve, por qeverisë që nuk u jep mundësi se si të nxjerrin jetesën.

Nëse do të jetoja në Shqipëri, do të kisha frikë për të ardhmen e fëmijëve të mi, ndërkohë që droga është bërë e frikshme. Keni shkallë të lartë papunësie, ndërkohë që keni shumë të rinj të arsimuar dhe të aftë për punë.

Ata nuk gjejnë vend pune se janë anëtarë të PD-së. Njerëzit largohen se s’kanë si të jetojnë. Nga ana tjetër ka shumë pak investime që mund të krijonin vende të reja pune. Nuk është se s’ ka interes, por nuk ka besim te drejtësia dhe çështja e pronësisë nuk është zgjidhur.

Nëse dëgjoni ish-ministrin e Drejtësisë, kuptoni shumë. Nuk e kuptoj si qëndron në këmbë kjo qeveri! Mendoj se është një alarm. Nëse do të isha kryetare partie dhe do të kisha një ministër në këtë situatë, do të dija çfarë të bëja.

Është ministri i Drejtësisë i kësaj qeverie dhe e di shume mirë se çfarë thotë. Dhe nëse i vetmi reagim i Kryeministrit Rama është shkarkimi i tij. Kjo nuk është praktika e duhur në një sistem demokratik.

Kjo situatë duhet ta zgjojë qeverinë të ndihmojë njerëzit të ndërtojnë jetën e tyre këtu. Duhet të theksoj se ky rajon ka një peisazh atraktiv dhe duhet të investohet për turizmin natyror për të krijuar mundësi punësimi.

Me një qeveri të tillë është vështirë të jesh optimiste. Shpresoj që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira, të mos manipulohet gjyqësori dhe demokracia të mund të lulëzojë me një parlament të dekriminalizuar.”

Doris Pack, e cila ndodhet në Shqipëri me ftesë të Kryetares se Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, deputetes Albana Vokshi dhe po merr pjesë në aktivitetet për fuqizimin e statusit të grave dhe vajzave. /albeu.com/

Shtuar më 17/02/2017, ora 11:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori