Doris Pack reagon pas betimit të gjyqtares para noteres: Parodi! Europa të reagojë

Ish-Eurodeputeteja gjermane Doris Pack ka reaguar në lidhje më ngërçin ku është përfshirë Shqipëria në lidhje me Gjykatën Kushtetuese.

Doris Pack e ka quajtur një parodi situatën në Shqipëri pas veprimit të anëtarës së Gjykatës Kushtetuese Arta Vorpsi, e cila vendosi të betohet para një noteri dhe jo para Presidentit Meta, siç e kërkon dhe Kushtetuta e vendit tonë.

“Një trazirë drejtësie në Shqipëri, e emëruar në mënyrë antikushtetuese si gjyqtare kushtetuese, ajo zgjedh të betohet para një noteri publik jo para Presidentit të Republikës, siç kërkon Kushtetuta. BE duhet të veprojë”, shkruan Doris Pack.

Doris Pack shkruan në Twitter se Europa duhet të reagojë ndaj kësaj ngjarje e cila nuk është aspak normale.

Rikujtojmë se Arta Vorpsi është betuar mbi kushtetutë për marrjen e mandatit të saj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese por jo në presidencë. Ajo ka njoftuar se është betuar tek noterja Miranda Xhemalçe duke injoruar kështu dekretimin nga Presidenti i Republikës.

“Unë e nënshkruara Arta Vorpsi në cilësine e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuesë emeruar, bazuar në vendimin nr.132 datë 21.09.2019 të Këshillit të Emerimeve në Drejtësi, botuar në fletoren zyrtare dhe në nenin 8 të ligjit nr.8577/2000 për “Organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” me vullnetin dhe gatishmërine për të ushtruar menjehere funksionin e gjyqtarit të gjykates kushtetuese dhe me dorën e vendosur mbi Kushtetute, betohem: Betohem se gjatë kryerjes se detyrave të mia do ti qëndroj kurdohere besnik Kushtetutes së Republikës së Shqipërisë” shkruhet në vendimin e legalizuar nga noterja Miranda Xhemalçe.

Sipas ligjit, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese fillojnë detyrën e tyre pas betimit tek presidenti por zonja Vorpsi ka vendosur të kalojë këtë procedurë e cila ende nuk është e qartë se sa ligjore mund të jetë.

Vorpsi ishte renditur e para në listën që KED i dërgoi Presidentit dhe Kuvendit për kandidatët e Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi vlerësoi se ajo emërohet automatikisht si anëtare duke qenë se Presidenti nuk u shpreh brenda afatit prej 30 ditësh.

Nga ana tjetër Presidenti Meta la të kuptohet në konferencën e djeshme për media se nuk e konsideron zonjën Vorpsi të emëruar duke thënë se kompetenca e tij nuk është e ezauruar dhe duke dekretuar Marsidal Xhaferllarin.

Tashmë të dyja ato cilësohen anëtare të Gjykatës Kushtetuese për të njëjtin vend, vetëm se njëra me dekret Presidenti dhe tjetra me betim te noteri./albeu.com/
Shtuar më 14/11/2019, ora 21:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori