Trafikoi rreth 1 ton marijuanë në Itali, arrestohet në Vlorë 34 vjeçari i shpallur në kërkim

Policia e Vlorës ka arrestuar një 34-vjeçar të shumëkërkuar për trafikimin e rreth 1 ton marijuanë, në Itali.

34-vjeçari ishte shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor ndërkombëtar të koduar “Syri”, të zhvilluar në korrik të vitit 2022.

Strukturat operacionale dhe ato hetimore të DVP Vlorë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Syri”, i cili fshihej në lagjen “1 Maji”, Vlorë, kanë organizuar punën për kapjen e tij.

Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle dhe si rezultat, në lagjen “1 Maji”, Vlorë, kanë lokalizuar dhe kapur shtetasin në kërkim G. L., 34 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 10.08.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Shtetasi G. L., në bashkëpunim me 5 shtetasit e arrestuar në muajin korrik të vitit 2022, në Vlorë, dyshohet se ka transportuar një sasi prej 992 kg lëndë të dyshuar narkotike marijuanë (të ndarë në 153 pako), me 3 skafe, drejt një mjeti tjetër lundrues, në thellësi të ujërave të detit Jon dhe më pas e kanë nisur atë drejt Italisë.

Operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Syri”, që goditi ketë rast të trafikimit të lëndëve narkotike, u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Guardia di Finanza-n, Delta Forcë, Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Policinë Kriminale, në Policinë e Shtetit.

Gjatë këtij operacioni, u sekuestruan lënda narkotike, 2 automjete dhe 4 mjete lundruese që u përdorën për transportimin e saj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com.


Shtuar 13.05.2023 09:13