Doni të bëni rregullime në shtëpi? Ja si dhe ku merret leja
Marrja e një leje për shtesë në shtëpinë ekzistuese ose për ndërtimin e një banese të re kërkon 11 dokumente dhe 45 ditë kohë. Aplikimi kryhet në faqen “e-Albania”. Për aplikimin për leje ndërtimi për ndërtime të reja apo shtesa, me sipërfaqe të përgjithshme deri në 250 m2 pranë njësive të qeverisjes vendore, mund të aplikohet online.

Me shërbimin me një ndalesë dhe procedura të thjeshtuara, transparente dhe të shpejta, reduktohen barrierat administrative dhe përmirësohen praktikat e aplikimit për lejet përkatëse. Personi i interesuar për të ndërtuar, duhet të paraqesë kërkesën për ndërtim duke plotësuar formularin elektronikisht.

Personat që aplikojnë duhet të paraqesin dokumente që vërtetojnë të drejtat pasurore të pronës, zhvillimin, përfshirë marrëveshjet midis pronarëve dhe zhvilluesit ose/dhe palëve të treta, planin e vendosjes së ndërtimit mbi fragmentin e hartës në gjendjen ekzistuese, projektin e ndërtimit dhe relacionin përkatës, grafikun paraprak të punimeve dhe afatin e dorëzimit të objekteve, sipas fazave të zbatimit dhe preventivin.

Në faqen “e-Albania” mësohet se nuk janë të detyrueshme projektet e instalimeve, si dhe mbikëqyrja dhe kolaudimi i punimeve, me kushtin që zbatuesi të dorëzojë një deklaratë noteriale, me të cilën të konfirmojë, nën përgjegjësinë e tij të plotë civile dhe penale, se objekti është ndërtuar në përputhje me lejen e ndërtimit dhe projektin përkatës.

HAPAT E PROCEDURËS
Kërkesat për leje ndërtimi paraqiten për shqyrtim nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve, i cili mundëson edhe ngarkimin, lehtësisht, të dokumentacionit shoqërues të kërkesës për leje. Autoriteti përgjegjës vendos brenda 10 ditëve nga data e dorëzimitaplikimit për leje ndërtimi me procedurë të përshpejtuar (sipas përcaktimeve të nenit 24, të VKMsë nr. 408, dt. 13.05.2015, “Rregullorja e zhvillimit të territorit”). Brenda 45 ditëve nga data e dorëzimitaplikimit për leje ndërtimi, lëshohet leja e ndërtimit. Afati është i përcaktuar në formularin e lejes së ndërtimit.

Aplikimi për deklaratë për kryerje punimesh
Me shërbimin me një ndalesë dhe procedura të thjeshtuara, transparente dhe të shpejta, reduktohen barrierat administrative dhe përmirësohen praktikat e aplikimit për lejet përkatëse. Sporteli i shërbimit me një ndalesë për veprimtaritë ndërtimore kujdeset për të gjitha marrëdhëniet ndërmjet palës së interesuar, autoritetit vendor të planifikimit dhe organeve të tjera të administratës publike që kanë detyrimin të japin mendimin e tyre në lidhje me punimet, objekt i kërkesës për leje ndërtimi apo deklaratës për punime paraprake. Ky shërbim përbën pikën e vetme të kontaktit të palës së interesuar me administratën publike në lidhje me kërkesën për leje dhe ndërhyrjen përkatëse në territor.

Dokumentet që duhet të depozitojë personi i interesuar për njoftimin e deklaratës paraprake për kryerje punimesh janë: Formulari i deklaratës dhe formatit të përcaktuar në sistemin elektronik të lejeve, dhe, sipas rastit: Dokumenti që vërteton pronësinë e tij apo të drejta të ligjshme për pasuri private ose publike, për strukturën që ka në përdorim, në përputhje me legjislacionin në fuqi; projekti teknik i realizimit të punimeve, i firmosur nga projektues të licencuar.

DOKUMENTACIONI I NEVOJSHËM:
1. Kërkesa për leje ndërtimi, sipas formularit të aplikimit, të përcaktuar në sistemin elektronik të lejeve;
2. Dokumente që vërtetojnë të drejtat pasurore të pronës/ave që marrin pjesë në një investim;
3. Zhvillim, përfshirë marrëveshjet midis pronarëve dhe zhvilluesit ose/dhe palëve të treta;
4. Plani i vendosjes së ndërtimit mbi fragmentin e hartës në gjendjen ekzistuese;
5. Projekti i ndërtimit dhe relacioni përkatës;
6. Grafiku paraprak i punimeve dhe afati i dorëzimit të objekteve, sipas fazave të zbatimit;
7. Preventivi;
8. Deklarata e projektuesit të licencuar, sipas formatit të aplikimit, të përcaktuar në sistemin elektronik të lejeve të ndërtimit, nëpërmjet së cilës konfirmohet përputhshmëria e projektit me lejen e zhvillimit, dokumentet e planifikimit e kontrollit të zhvillimit, në fuqi, dhe me legjislacionin që rregullon veprimtarinë e ndërtimit në Republikën e Shqipërisë, përfshirë dispozitat antisizmike, të sigurisë, mbrojtjes nga zjarri dhe higjieno-sanitare;
9. Lejet, licencat, autorizimet apo aktet e miratimit, të nevojshme për ushtrimin e aktivitetit, në zbatim të legjislacionit të posaçëm për lejet, licencat dhe autorizimet, në rastet kur është e nevojshme që ato të paraqiten përpara marrjes së lejes së ndërtimit;
10. Mandatpagesa/t e tarifës/tarifave të aplikimit;
11. Kopje e policës së sigurimit të projektuesve, për mbulimin e përgjegjësive profesionale./Gazeta Shqiptare/
Shtuar më 28/02/2017, ora 10:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori