Domokrati thirrje Xhaçkës: Mos hajde me helikopter tek njerëzit me halle
Ditën e djeshme për shkak të bllokimit të Kuvendit nga Partia Demokratike nuk u bë e mundur mbajtja e fjalimeve të përgaditura nga deputetët.

Meqënëse kjo nuk ishte e mundur, deputeti i PD-së në Devoll, Hekuran Hoxhalli e ka postuar atë në Facebook.

Në shkrimin e tij, demokrati i është referuar vizitës së fundit në zonën e tij elektorale (fshati Arrëz) te Ministres se Mbrojtjes, Olta Xhacka, ku ajo inauguroi një urë.

Hoxhalli ka përmendur faktin se ministrja erdhi në fshat me helikopter dhe nuk mundi të njihej me një shqetësim shumë serioz të zonës, ekzistencën e disa predhave të pashpërthyera që nga lufta Civile në Greqi.

Postimi në Facebook

Zonja Xhaçka, çminoni Devollin!

(Ne vend te fjales ne Kuvend)

Me date 30 Shtator 2017 ministrja e mbrojtjes e Republikes se Shqiperise u ndal me mision partie ne zonen e Devollit dhe zhvilloi nje numer aktivitetesh ne gjirin e militanteve korcare qe e shoqeronin.

Misioni i saj ne Devoll mbase ka kryer te gjitha objektivat partiake, nderkohe qe objektivave dhe detyrave shteterore u kaloi anash. Per me teper populli i Devollit nuk ia pa dot hajrin vizitores se rralle.

Ky ishte shkak i mjaftueshem per mua si deputet i zones per te nderhyre ne Kuvendin e Shqiperise. Seanca nuk u zhvillua per motive te luftes politike dhe une nuk i percolla dot hallet e Devollinjve.

Prandaj po shfrytezoj median e shkruar per te sensibilizuar opininonin dhe per t’i kerkuar ministres te beje detyren. Po botoj fjalen qe nuk e mbajt dot ne seance. Shpresoj se lexuesit do mirekuptojne e do ndajne me solidaritet shqetesimet e medha te nje zone periferike.

Ja fjala qe kisha pergatitur, fotot ilustrojne shqetesimin e zones qe mund ta zgjidhe ministrja:

Shkak për këtë ndërhyrje u bë një vizitë flash e ministres në fshatin tim të lindjes, në Arrëz të Devollit. Ministrja fluturoi me helikopter drejt fshatit tim malor më datë 30 shtator për të përuruar një urë ende të pambaruar Bailey, investim i bashkisë, mbistruktura e hekurit e të cilës ishte kontribut i Ministrisë së Mbrojtjes.

Si deputet i asaj zone më takon ta falenderoj ministren për kontributin e dikasterit të saj në këtë punë modeste publike dhe dua ta bëj këtë përpara gjithë shqiptarëve.

Por, nga ana tjetër, dua t’i tregoj ministres, faqe gjithë shqiptarëve, atë që ajo nuk pa, nuk dëgjoi, nuk kuptoi, për shkak se atë vend të bukur e ata njerëz mahnitës i vizitoi fluturimthi, me helikopter.

Ministres i kishin përgatitur një aktivitet për një punë publike modeste, e cila ende nuk ka përfunduar, por askush nuk i tha se aktiviteti ishte përgatitur dhe po zhvillohej, në ilegalitet, partizançe. Investimi është i bashkisë, por aktivitetin e organizonte partia, pjesëmarrjen e mbulonte partia.

Bashkinë e kishin deklaruar non grata në shtëpinë e vet. Ndaj ministrja nuk i pa, nuk i njohu, nuk i takoi dot as Arrëzarët, as autoritetet vendore, as përfaqesuesit e zgjedhur të tyre. Urën e re ministrja nuk ua uroi dot ta gëzojnë përfituesve të saj të drejtpërdrejtë.

Kontributi i Ministrisë së Mbrojtjes në këtë investim publik, edhe pse ne si Arrëzarë e çmojmë, është modest. Unë nuk dua ta vë ministren në siklet, por të vërtetën nuk e fsheh dot.

Emisarët e ministrisë që përgatitën aktivitetin kanë shkuar dy herë në Arrëz për të përgatitur terrenin e vizitës, kanë shkuar me helikopter.

Tre vizitat me helikopter, do jetojnë në memorjen e fshatit më gjatë se jetëgjatësia e pritshme e urës, sidomos për shkak të humorit që bart ky episod.

Kosto e karburantit të harxhuar është më e madhe se kosto e mbistrukturës së hekurt. Sikur Ministrja dhe ekipi i saj të kishin kursyer helikopterin dhe çmimin e naftës t’ia kishin bërë dhuratë fshatit për shkollën, fshatarët do kishin dalë vërtet në takim, ministrja do i kish njohur dhe do ishte larguar me mbresa për mirënjohjen e tyre. Në fakt, në vend të mbresave, mori me vete veç shpoti.

Ministren e vunë të përkujtonte me këtë rast 90 vjetorin e shkollës së fshatit. Shkolla e fshatit është themeluar në vitin 1928. Arrëzarët e duan shkollën dhe janë krenarë për historinë e arsimit në fshat.

Por shkolla është vetëm 89 vjeç, të nëntëdhjetat i mbush vitin që vjen. Arrëzarët do ta festojnë 90 vjetorin vitin që vjen dhe unë do u kërkoj që të ftojnë medoemos ministren Xhaçka, pavarësisht nëse pas një viti do jetë ose jo ministre.

Së pari për shkak se, siç tha në vizitën e saj flash, origjinën e ka nga ato anë dhe lidhja e origjinës është lidhje që nuk të lëshon, nuk e lëshon dot ministren, por nuk na lëshon as ne.

Së dyti, për shkak se provën gjenerale të festës e bëri sivjet, nuk ka pse të lërë pa bërë festën e vërtete vitin që vjen. Ftesa do ketë vetëm një kusht, të mos vijë me helikopter. Koston e karburantit të helikopterit ta kursejë. Ku i dihet, mbase mund ta përdorë si investim për shkollën.

Ministrja këtë herë nuk njohu dot as Arrëzarët, as hallet e tyre. E pra, ne kishim nevojë që ministrja të ulej me ne e të na qante hallet. Mbase ndonjë prej tyre mund edhe ta kish zgjidhur. Ndonjë prej tyre është kompetencë e drejtpërdrejtë e saj.

Meqenëse zonja ministre “nuk u ul dot” nga helikopteri kur erdhi ne fshat para katër ditëve, unë mora përsipër para bashkëfshatarëve të mij ta sjell problematikën në sallën e Kuvendit.

Jo më larg se 2 km nga vendi ku “nuk u ul dot” ministrja, kur zbriti nga helikopteri, jo më larg se 2 km nga vendi ku banojnë e mësojnë fëmijët e shkollës që përkujtoi ministrja rrinë të fjetura, që nga koha e luftës civile në Greqi (luftë që kaloi kufijtë e shtetit fqinj dhe përfshiu dhe disa rajone tonat kufitare) dhjetëra apo qindra predha të pashpërthyera, të cilat nga momenti në moment mund të sjellin pasoja fatale për gjithë banorët e zonës.

Nuk janë të hedhura në ndonjë humnerë, apo të futura shtatë pash nën dhe. Njerëzit i prekin me dorë, mund edhe të luajnë me to. Shikojini në foto! Janë sheshit, mbajnë të gjitha gjurmët e kohës, janë të rrezikshme, mund të marrin jetë, mund të bëjnë dëm të madh.

Ime kete nderhyrje po i drejtohem ministres personalisht, sepse siç po ankohem e po kërkoj unë ndërhyrje publikisht, duhet dhe ministrja të dalë të refuzojë apo të marrë përsipër barrën publikisht.

Halli është i rëndë dhe urgjent. Për të mbrojtur njerëzit nga rreziku ia vlen që ministrja të impenjohet personalisht, të angazhohet se do dërgojë ekipet e çminimit, apo se do organizojë evadimin e materialit shpërthyes menjëherë.

Ia vlen të çojë ekspertët urgjent, pse jo, me helikopter. Të paktën këtë herë nuk do ia përmendin helikopterin me shpoti, por me respekt e mirënjohje. /albeu.com/

Shtuar më 06/10/2017, ora 10:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori