Kur Fatos Lubonja dëshmonte kundër të atit… (FOTO LAJM)

Fatos Lubonja në dëshminë e tij para hetuesisë, marrë në vitin 1975 ku flet për simpatinë që i ati, Todi kishte për Ismail Kadarenë dhe se shkrimtarët e tjerë kishin frikë.

Unë di tre gjuhë të huaja, Anglisht, Frëngjisht dhe Italisht. Dhe shkaqet që më çuan mua në këtë rrugë janë librat që unë lexoja, të cilat m’i jepte babai, i cili ka pas për qëllim që unë të formohesha vetë.

Kur u dënova dhe shkova në Laç, unë rashë në pesimizëm dhe këto libra që unë lexoja tashti ngjitën te mua sepse në këtë kohë unë kam qenë në një gjendje të rëndë shpirtërore, kurse po unë edhe më parë lexonja këto libra por tek unë nuk ngjisnin, sepse dhe gjendja ime shëndetësore në atë kohë ka qenë e mirë.

Mbi pyetjen e Prokurorit, i pandehuri Fatos tha se:

Tridhjet faqet e para pa titull i ka lexuar dhe babai dhe do ta botoja……………………………

Unë mendoja që shkrimtarët të shkruanin më lirë, e këtë nuk e bënin se ka diktaturë, ata nuk kanë fushë veprimi. Këtë gjë ma ka përkrahur dhe babai. Me shokë kam folur për përmbajtjen e një libri me karakter reaksionar dhe për ato që janë në qarkullim. Unë i kam folur Besnik Sinanit për librat e Hitlerit që isha duke lexuar…………………………………..

Si u dënua babai, ai më thoshte se që kur ishte në gazetë, nuk shikohej mirë nga udhëheqja. Tha se këtë dënim ia ka dhënë vetëm udhëheqësi kryesor, pa u marrë vesh me shokët e tjerë, se vendimi i dënimit qe shumë i rëndë.

Më ka thënë babai se Lenini shkruante një letër dhe thoshte që Stalini të mos zgjidhet se është diktator, dhe pastaj bënte aluzion për shokun Enver e për Stalinin.

Ay, babai, im, më ka folur se kishte simpati si shkrimtar për Ismail Kadarenë, kurse për të tjerët thoshte se ata janë të paaftë dhe këto shkrime i bëjnë nga frika. Mua më lejonte babai që të lexoja dhe libra dekadentë.

Shkrimet do t’i mbaja si një krijimtarinë time dhe kur të ndryshonte situata, që të mos kishim më frikë për të më arrestuar babanë, do t’i botoja.

Babai pas dënimit ka biseduar me mua. Babai më ka thënë se në rast se nuk më transferojnë, do më mbrojë Ramiz Alia dhe po të vendosë shoku Enver, mua do më heqin se ai nuk më do. Babai më ka thënë se përveç Ismail Kadaresë, shkrimtarët e tjerë shkruajnë sa për të qenë brenda, se kanë frikë dhe maten shumë kur shkruajnë se i futin brenda. Më ka thënë se Enver Hoxha është diktator dhe ai nuk ka qenë dakord me këto.

Babai më ka thënë se duhet të pranojmë realitetin se çfarë gjendje ekonomike dhe materiale kemi ne.

Duhet të lidhemi më botën e jashtme, qoftë nga ana ekonomike dhe kulturale, kurse këta e kanë mbyllur brenda.

Lidhur me dënimin e tij, babai më ka thënë se Udhëheqësi i Partisë i ndante në të urtët dhe në të ashpërit. Babai thoshte se shoku Enver është influencuar nga të urtët, dhe babai nuk fliste për kontradikta në Udhëheqje…………………………………………………………………………………….

Babai në letër më shkruante gjëra armiqësore pikërisht për shokun Enver, dhe thoshte se e ka humbur ekuilibrin e trurit dhe të mëndjes………………………………………………………..

Mbi pyetjen e Prokurorit, i pandehuri tha: pseudonimin ‘dajre’ ia kishte vënë sepse; në 1 Maj, shoku Enver i bënte duart sikur i binte dajres, dhe neve e diskutuam si dajrelli……………………

Kur vate babai në Lezhë unë shkova e takova dhe ai më tha se Shoku Enver duke qenë i sëmurë ka bërë dhe gabime e ndryshe foli në Mat e ndryshe në Pleniumin e katërt.

Ai mendonte që shoku Enver nuk duhet të shante në Pleniumin e katërt, por duhet të kritikonte. Babai më tha që më dërguan këtu në punë fizike për të ngordhur, por përkundrazi tha unë do të rroj që të shikoj.

Babai ka bërë disa shkrime të tij, të cilat i ruante si kujtime të jetës së tij, dhe mua më ka thënë se do vijë koha qe dhe neve të na shikojnë më ndryshe, se me kalimin e kohës do të zbuten. Babai tha se materiali i duhej ta paraqiste kur të ndryshonte vija e Partisë, sepse ai nuk ka qenë armik i partisë, por ka punuar për popullin……………………..

Vërtetohet se është një me origjinalin

Sekretarja e çështjes

Fahrije Karagjozi

Tiranë, më 25 / 1 / 1975

*Arkivi Ministrisë së Punëve të Brendshme. Dosja hetimore ndaj Fatos Lubonjës. Nr. 2370A. Viti 1974-1975./MAPO/
Shtuar më 08/04/2017, ora 10:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori