DOKUMENTI EKSKLUZIV: Platforma sërbe për Kosovën
Pëlqej
Albeu.com
Me planin serb për të ardhmen e Kosovës bëhet e qartë ajo që të gjithë e kanë ditur tërë këto vite, Serbia synon o ta ndajë Kosovën ose ta lërë atë akoma më tutje nën varësinë e Serbisë.Është e çuditshme sesi akoma Beogradi zyrtar vazhdon të artikulojë një politikë tërësisht nacionaliste edhe në qarqet ndërkombëtare. Platforma e bisedimeve që delegacioni serb synon të mbajë si qëndrim zyrtar në Vienë është e mbështetur mbi dy koncepte fare të qarta. E para ndarja e brendshme e Kosovës mbi bazën e parimit etnik dhe jo mbi bazën e parimit të shtet të qytetarëve, që është edhe parimi multietnik i përdorur në Maqedoni me Marrëveshjen e Ohrit në 2001. Me artikulimin e kërkesës zyrtare për të patur territore të entitetit serb të pastra në Kosovën Veriore, Qendrore, Anamoravë në lindje të Kosovës dhe me territoret e mbrojtura fetare dhe të pastra etnikisht në Rrafshin e Dukagjinit, Beogradi politik kërkon në mënyrë të hapur që të ketë një Serbi të vogël brenda Kosovës në mënyrë që në çdo rast të ketë mundësi ta shkëpusë dhe t’ja bashkangjisë këtë pjesë të Kosovës Serbisë. Kjo kërkesë e formuluar politikisht si nevojë për një kompromis nuk bën asgjë tjetër sesa kompromenton të ardhmen e Kosovës e cila gjithnjë do të ishte e kërcënuar nga Serbia. Nga ana tjetër gjuha politike e përdorur nga Beogradi karshi Kosovës është e vjetër, ajo e përmend Kosovën si Kosovë dhe Metohi, në mënyrë që edhe më tutje Kosova të jetë pjesë e Serbisë dhe jo e pavarur. Megjithatë Serbia e sotme e di mirë që një pjesë shumë mirë e bashkësisë ndërkombëtare është e prerë në mbështetjen e qytetarëve të Kosovës për vetëvendosje dhe Pavarësi, ndaj dhe këtë boshllëk mundohet ta justifikojë nën petkun e të drejtave, duke paragjykuar kështu shtetin e ardhshëm të Kosovës, si një shtet që nuk do ti respektojë të drejtat e njeriut dhe standartet demokratike. Prandaj në emër të këtyre të drejtave dhe lirive të njeriut Beogradi kërkon që ti njihet e drejta që të ushtrojë autoritetin e vet shtetëror tek serbët e Kosovës dhe në territoret që ata jetojnë dhe punojnë. Me planin e miniSerbisë brenda në Kosovë, Beogradi synon të ndjekë të njëtën linjë negociatash si ato të Marrëveshjes së Dejtonit për Bosnje- Hercegovinën, të cilat çuan ndarjen e Bosnjes në dy entitete mbi bazë etnike dhe fetare. Nëse nga njëra anë qëndrimi serb për çështjen e Kosovës del në pah se nuk ka ndryshuar, nga ana tjetër këto negociata do të jenë një provë shumë e rëndësishme për Bashkësinë Ndërkombëtare. Faktorët kryesorë të politikës botërore, por kryesisht ata europianë do të duhet të provojnë se parimet e tyre, të cilat janë thelbi i Konventave Ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, por edhe të frymës së Kushtetutës Evropiane për shtet të qytetarëve dhe shoqëri multietnike dhe multireligjoze, nuk janë vetëm një demagogji por realitet. Kjo duhet të vlejë edhe për Ballkanin!

Territoret
Pika e parë e planit serb është krijimi i një territori të veçantë për këtë entitet. Kjo do të bëhet me krijim e tre komunave me përkatësi kombëtare serbe të ndërlidhura.

Autonomia
Entitetet territoriale serbe duhet të kenë autonomi të plotë kulturore, shëndetësore, sociale, financiare, ekonomike, gjyqësore dhe policore dhe të jenë të lidhura me Beogradin.

Veto
Në pushtetin qendror serbët kërkojnë të drejtën eskluzive të bllokimit të vendimeve politike në Parlament dhe në Qeveri nëse nuk kanë miratimin e serbëve pjesmarrës në institucione.
nga Ilir KULLA, Gazeta Shqiptare
Shtuar më 18/02/2006, ora 11:25
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori